Luka 13

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Në qat kohë, do që ishin aty i kallxun për Galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kish përzi me kurbanet e tyne. 2 Aj ju përgjigj: „A menoni që qatyne Galileasve ju ka ndodhë kjo, se kanë qenë ma gjynahqarë se krejt Galileasit tjerë? 3 Jo, po ju thom! Po nëse nuk pendoheni, krejt keni me u zhdukë qashtu. 4 Ose ata 18 veta, që ju ra përmbi kulla në Siloam edhe i myti, a menoni që ata kanë pas faj ma shumë se krejt banorët tjerë të Jerusalemit? 5 Jo, po ju thom! Po nëse nuk pendoheni, krejt keni me u zhdukë qashtu.“

6 Masanej aj ju tregoi qit krahasim: „Nji njeri e kish mbjellë nji fik në vneshtën e vet, edhe ka ardhë me kqyrë a kish fryte, po s’ka gjetë kurgjo. 7 Atëherë i tha puntorit të vneshtës: ‘Qe tri vjet po vi te qiky fik tu pritë fryte, po s’po gjej kurgjo. Preje! Pse me e lanë tokën kot me të?’ 8 Puntori i vneshtës ju përgjigj: ‘Zotni, leje edhe qit vit. Ta mih rreth e rrotull edhe t’i qes pleh. 9 Nëse jep fryte ma vonë, mirë, po nëse jo, atëherë preje.’“

10 Në sabat, Jezusi po msonte në nji sinagogë. 11 Aty ishte nji gru, që qe 18 vjet e mundonte nji shpirt i keq me sëmundje. Ajo ishte e kërrusun edhe s’mujke kurrqysh me u drejtu. 12 Kur aj e pa, i foli: „Oj gru, je e lirume pi sëmundjes tane.“ 13 Aj ja vnoi duert përmbi, edhe ajo menjiherë u drejtua e nisi me i dhanë lavdi Zotit. 14 Po i pari i sinagogës u idhnu, se Jezusi e shnoi grunë në sabat. Për qata i tha kallabllakut: „Janë gjashtë ditë për me punu. Pra, ejani qato ditë me u shnoshë, e jo në ditën e sabatit.“ 15 Po Zotnia ju përgjigj: „O dyftyrat! A s’e zgjidh secili pi juve në sabat demin a magarin e vet edhe e çon pi ahurit te uji me pi? 16 A nuk u dashtë pra kjo gru, që asht bijë e Abrahamit e që Satani e ka majtë të lidhun 18 vjet, me u liru pi këtyne lidhjeve në ditën e sabatit?“ 17 Kur aj i tha këto, krejt kundërshtarëve të tij ju erdh marre, po krejt kallabllaku u gëzonte për krejt senet e mrekullueshme që aj i bante.

18 Për qata aj vazhdoi me thanë: „Me qka asht e ngjashme mbretnia e Zotit, me qka muj me e krahasu? 19 Asht si nji kokërr sinapi, që nji njeri e mbolli në kopshtin e vet. Ajo u rrit e u bo dru, edhe shpezët e qiellit bonën fole në degët e tij.“

20 Edhe prapë pyti: „Me qka muj me e krahasu mbretninë e Zotit? 21 Asht si tharmi, që nji gru e përzini me tri masa të mëdhaja mielli, derisa u tharmu krejt brumi.“

22 Rrugës për Jerusalem, aj ka shku pi qyteti në qytet e pi katuni në katun, tu msu. 23 Atëherë nji burrë deshti me ditë pi tij: „Zotni, a janë pak ata që kanë me u shpëtu?“ Aj ju tha: 24 „Përpiquni me krejt fuqinë me hy nëpër derën e ngushtë, se po ju thom: shumë kanë me tentu me hy, po s’kanë me mujtë. 25 Kur i zoti i shpisë të çohet edhe ta mshelë derën, ju keni me nejt jashtë, keni me trokitë në derë edhe keni me thanë: ‘Zotni, çelna!’ Po aj ka me ju përgjigj: ‘S’e di pi kah jeni.’ 26 Atëherë keni me nis me thanë: ‘Na kemi hangër e kemi pi para teje, edhe ti ke msu në rrugët tona kryesore.’ 27 Po aj ka me ju thanë: ‘S’e di pi kah jeni. Ikni pi meje, ju që boni padrejtësi!’ 28 Aty keni me kajtë edhe me kërcëllu dhambët, kur ta shihni Abrahamin, Isakun, Jakupin edhe krejt pejgamberët në mbretninë e Zotit, e ju vetë të qitun jashtë. 29 Edhe kanë me ardhë njerz pi lindja e pi perëndimi, pi veriu e pi jugu, edhe kanë me u ulë në sofër në mbretninë e Zotit. 30 Mbane në men: ka të fundit që kanë me qenë të parët, edhe ka të parët që kanë me qenë të fundit.“

31 Në qat orë, do Farisenj erdhën edhe i thanë: „Ik, largohu pi qitu, se Herodi po don me t’mbytë!“ 32 Aj ju përgjigj: „Shkoni e thujani qati dhelpre: ‘Sot edhe nesër po i qes shpirtnat e këqij edhe po i shnoj të smutët, e ditën e tretë kam me e kry.’ 33 Po unë duhet me vazhdu rrugën sot, nesër edhe pasnesër, se s’bon me u mbytë nji pejgamber jashtë Jerusalemit. 34 Jerusalem, Jerusalem, ti që i mbyt pejgamberët edhe i gjuan me gurë ata që t’dërgohen! Sa herë kam dashtë me i mbledhë fmitë e tu, qysh i mbledh pula zogjtë e vet nën krahë! Po ju s’dashtët. 35 Shpia juej ka me ju metë e braktisun. Po ju thom: kurrsesi s’keni me m’pa ma, derisa të thuni: ‘I bekuem asht aj që vjen në emën të Jehovajt!’“