Luka 21
1 Kur Jezusi kqyri përpjetë, i pa të pasunit tu i qitë dhuratat e tyne në arkat e thesarit. 2 Pastaj e pa nji vejushë të vorfën tu i qitë dy pare të vogla, që vlenin shumë pak, 3 edhe tha: „Përnime po ju thom: qikjo vejushë e vorfën ka qitë ma shumë se krejt tjerët. 4 Se krejt ata kanë qitë dhurata pi tepricës së vet. Kurse ajo, pi skamjes së vet, e ka qitë krejt qka kishte për me jetu.“
5 Ma vonë, kur do po folshin për tempullin, qysh ishte i zbukurum me gurë të bukur edhe me dhurata kushtume Zotit, 6 aj tha: „Kanë me ardhë ditë kur pi krejt qka po shihni qitu, s’ka me mbetë as nji gur mbi gur. Krejt ka me u shkatërru.“ 7 Atëherë e pytën: „Mësues, kur ka me ndodhë kjo, edhe cila shenjë ka me tregu kur po afrohet?“ 8 Aj ju përgjigj: „Kini kujdes që mos me u mashtru. Se shumë kanë me ardhë në emnin tem e kanë me thanë: ‘Unë jom aj’, edhe: ‘Koha asht ngat.’ Mos shkoni mas tyne. 9 Edhe kur të neni për lufta e trazina, mos u trembni. Se kto sene duhet me ndodhë së pari, po fundi nuk vjen menjiherë.“
10 Pastaj ju tha: „Nji popull ka me u çu kundër nji populli tjetër, edhe nji ven kundër nji veni tjetër. 11 Ka me pasë tërmete të mëdhaja, edhe ven pas veni ka me pasë mungesë ushqimi e sëmundje. Ka me pasë edhe pamje të frikshme, edhe shenja të mëdhaja pi qiellit.
12 Po para se me ndodhë krejt kto, kanë me u çu kundër juve edhe kanë me ju përndjekë. Kanë me ju çu para sinagogave e në burgje. Për shkak të emnit tem, kanë me ju qitë para mbretave edhe guvernatorëve. 13 Kjo ka me ju dhanë rast me dëshmu për mu. 14 Vendosni mirë në zemër mos me u përgatitë përpara qysh me u mbrojtë, 15 se unë kam me ju dhanë fjalë edhe mençuri, që krejt kundërshtarët tuej bashkë s’kanë me mujtë me ju dalë përballë, as me ju kundërshtu. 16 Përveç kësaj, kanë me ju dorëzu edhe prindtë, vllaznit e motrat, farefisi edhe shoktë, edhe disa pi juve kanë me i mbytë. 17 Krejt njerzt kanë me ju urrejtë për shkak të emnit tem. 18 Po as nji fije floku pi kresë tuej s’ka me ju humbë. 19 Me qëndrueshmëninë tuej, keni me e shpëtu jetën tuej.
20 Po kur ta shihni Jerusalemin të rrethuem pi ushtrive, atëherë dijeni mirë që shkatërrimi i qytetit asht ngat. 21 Atëherë ata që janë në Jude, le të nisin me ikë në male, ata që janë në qytet le të dalin jashtë, edhe ata që janë nëpër katune mos të hinë në qytet, 22 se kjo asht kohë kur ka me u vu drejtësia në ven, që me u përmbushë krejt qka shkruhet në Shkrime. 23 Mjerë gratë shtatzana edhe nanat me fmi në gji në ato ditë! Se hall i madh ka me ardhë mbi venin, edhe zemërim mbi qit popull. 24 Ata kanë me u mbytë me shpatë edhe kanë me u marrë robër në krejt vendet, edhe Jerusalemi ka me u shkelë pi kombeve tjera, derisa të kryhen kohët e caktume të kombeve tjera.
25 Ka me pasë edhe shenja në diell, në hanë edhe në yje, e në tokë frikë e tmerr mes popujve, se s’kanë me ditë kah me ja majtë pi ushtimës së detit edhe valëve të tij. 26 Njerzt kanë me u alivanosë pi frika edhe pi pritja e asaj që po vjen mbi tokën e banueme, se fuqitë e qiellit kanë me u dridhë. 27 Atëherë kanë me e pa Birin e njeriut tu ardhë në nji re, me fuqi edhe lavdi të madhe. 28 Po kur kto sene të nisin me ndodhë, drejtohuni edhe çone krytë, se lirimi juej asht ngat.“
29 Pastaj ju tregoi nji krahasim: „Kqyrne fikun edhe krejt drujtë tjerë. 30 Kur qesin sytha, ju vetë e shihni edhe e dini që vera tash asht ngat. 31 Qashtu edhe ju, kur t’i shihni kto sene tu ndodhë, dijeni që mbretnia e Zotit asht ngat. 32 Përnime po ju thom: Qikjo gjeneratë kurrsesi s’ka me kalu pa ndodhë krejt kto sene. 33 Qielli edhe toka kanë me kalu, po fjalët e mia kurrsesi s’kanë me kalu.
34 Po kini kujdes për veten, që zemra juej mos me u randu kurrë pi të hangrit shumë, pi të pimit shumë edhe pi marakeve të jetës, e ajo ditë me ju ardhë përnjëherë, në nji çast, 35 si kurth. Se ajo ka me ardhë mbi krejt ata që banojnë në krejt faqen e tokës. 36 Pra rrini zgjuet edhe lutuni pa nalë me përgjërim, që me ja dalë me ikë pi krejt asaj që duhet me ndodhë, edhe me nejtë para Birit të njeriut.“
37 Ditën Jezusi msonte në tempull, po natën dilte jashtë edhe e kalonte natën në malin që quhet Mali i Ullinjve. 38 Krejt populli shkonte herët në sabah te tempulli për me e ngu.