Luka 22

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Tash po afrohej Festa e Bukëve pa tharm, që quhet Pashkë, 2 edhe kryepriftërinjtë e skribët po kërkojshin nji rast me e hek qafe Jezusin me hile, se i tutshin popullit. 3 Atëherë Satani hini në Judën, që quhej Iskariot, e që ishte njoni pi të Dymbëdhjetëve. 4 Juda shkoi te kryepriftërinjtë edhe te krerët e rojës së tempullit, edhe foli me ta qysh mujke me ja dorëzu Jezusin. 5 Ata u gëzun për këtë edhe u morën vesh me i dhanë pare argjendi. 6 Aj u pajtu, edhe pi atëherë kërkonte nji rast të mirë me ja dorëzu atyne, kur s’kishte kallabllak njerzish.

7 Tash erdh dita e Bukëve pa tharm, dita kur duhej me u bo kurban Pashka. 8 Prandaj Jezusi i ngarkoi Pjetrin edhe Gjonin: „Shkoni edhe na e përgatitni darkën e Pashkës.“ 9 Ata e pytën: „Ku po don me ta përgatitë?“ 10 Aj ju përgjigj: „Kur të hini në qytet, ka me ju dalë përpara nji burrë që mban nji shtambë balte me ujë. Shkoni mas tij në shpinë ku hyn aj. 11 Thujani të zotit të shpisë: ‘Mësuesi po pyt: „Ku asht dhoma e mysafirëve, ku muj me hangër darkën e Pashkës me nxansat e mi?“’ 12 Aj ka me ju kallxu nji dhomë të madhe në katin e naltë, krejt të rregullume. Aty përgatitne.“ 13 Ata shkun edhe gjetën krejt qysh ju kish thanë aj, edhe e përgatitën Pashkën.

14 Kur erdh ora, Jezusi u ul në sofër bashkë me apostujt. 15 Ju tha: „Kam pas shumë qef me e hangër qit darkë të Pashkës me juve, para se me hjekë. 16 Se po ju thom: Nuk kam me e hangër ma, derisa të përmbushet në mbretninë e Zotit.“ 17 Pastaj e mori nji gotë, bani lutje falënderimi edhe tha: „Merrne edhe jepjani njani-tjetrit mes juve. 18 Se po ju thom: Pi tash e tutje nuk kam me pi ma pi frytit të hardhisë, derisa të vjen mbretnia e Zotit.“

19 E mori edhe nji bukë, bani lutje falënderimi, e theu bukën edhe jau dha, tu thanë: „Kjo paraqet trupin tem, që ka me u dhanë për juve. Bone këtë prapë e prapë për me m’kujtu mu.“ 20 Qashtu bani edhe me gotën mas darkës. Tha: „Kjo gotë paraqet besëlidhjen e re, që hyn në fuqi përmes gjakut tem, që ka me u derdhë për juve.

21 Po kqyrni! Aj që po m’tradhton asht me mu në sofër. 22 Biri i njeriut po shkon rrugës së vet, qysh asht caktu, po mjerë aj që e tradhton!“ 23 Atëherë ata nisën me folë mes veti se cili pi tyne kish me bo nji sen të tillë.

24 Po mes tyne u bo edhe nji fjalosje e nxehtë se cili pi tyne dukej si ma i madhi. 25 Aj ju tha: „Mbretat e kombeve sillen si zotni mbi ta, edhe ata që kanë pushtet mbi popull quhen bamirës. 26 Po ju s’duhet me qenë qashtu. Përkundrazi, kush asht ma i madhi mes jush, le të bohet si ma i riu, edhe kush udhëheq, le të jetë si shërbëtor. 27 Kush asht ma i madh: aj që rrin në sofër a aj që shërben? A nuk asht aj që rrin në sofër? Po unë jam mes jush si aj që shërben.

28 Po ju jeni ata që keni nejtë me mu në sprovat e mia. 29 Edhe unë po boj me ju nji besëlidhje, qysh Ati jem ka bo me mu nji besëlidhje, për nji mbretni, 30 që ju me hangër e me pi në sofër teme në mbretninë teme, edhe me u ulë në frona për me gjyku dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

31 Simon, Simon, kqyr! Satani ka kërku me ju pasë krejt juve, që me ju shoshitë si grunin. 32 Po unë jom lutë për ty, që besimi yt mos me u ligësu. E ti, kur të kthehesh prapë, forcoji vllaznit tu.“ 33 Atëherë aj i tha: „Zotni, unë jom gati me shku me ty edhe në burg, edhe në vdekje.“ 34 Po Jezusi ju përgjigj: „Po të thom, Pjetër: gjeli sot s’ka me këndu, para se ti tri herë ta mohosh që më njeh.“

35 Pastaj i pyti: „Kur ju dërgova pa kuletë, pa torbë ushqimi edhe pa sandale, a ju mungoi naj sen?“ Ata thanë: „Jo!“ 36 Atëherë ju tha: „Po tash, kush ka kuletë, le ta merr me veti, edhe torbën e ushqimit po ashtu. E kush s’ka shpatë, le ta shesë petkun e jashtëm edhe le ta blejë nji. 37 Se po ju thom, tek unë duhet me u përmbushë ajo që shkruhet në Shkrime: ‘Aj u numru me të paligjshmit.’ Kjo po përmbushet tek unë.“ 38 Ata thanë: „Zotni, kqyr! Qitu janë dy shpata!“ Aj ju tha: „Mjafton.“

39 Aj doli edhe, qysh e kishte zakon, u nis për te Mali i Ullinjve, edhe nxansat e ndoqën. 40 Kur mbrrini aty, ju tha: „Vazhdoni me u lutë, që mos me ra në sprovë.“ 41 Pastaj u largu pi tyne afërsisht sa gjuhet nji gur, u ul në gjunjë edhe nisi me u lutë: 42 „Atë, nëse don, largoje qit gotë pi meje. Megjithatë, le të bohet jo qka du unë, po qka don ti.“ 43 Atëherë ju shfaq nji melaqe pi qiellit edhe e forcoi. 44 Po aj po hjekte aq shumë, sa lutej edhe ma me përgjërim, edhe djersa e tij u bo si pika gjaku që binin në tokë. 45 Kur u çu pi lutjes, shkoi te nxansat edhe i pa që i kish marrë gjumi, se ishin lodhë pi mërzia. 46 I pyti: „Pse po fleni? Çohuni edhe vazhdoni me u lutë, që mos me ra në sprovë.“

47 Derisa aj hala po fliste, përnjiherë erdh nji kallabllak njerzish, të udhëhequn pi burrit që quhej Judë, njoni pi të Dymbëdhjetëve. Aj ju afru Jezusit për me e përshëndetë me puthje. 48 Po Jezusi e pyti: „Judë, a me puthje po e tradhton Birin e njeriut?“ 49 Kur ata që ishin me të e panë qka po afrohej, pytën: „Zotni, a t’i biejmë me shpatë?“ 50 Madje njoni pi tyne ju turr shërbëtorit të Kryepriftit edhe ja preu veshin e djathtë. 51 Atëherë Jezusi tha: „Mjaft, naluni!“ E preku veshin edhe e shëroi shërbëtorin. 52 Pastaj Jezusi i pyti kryepriftërinjtë, krerët e rojës së tempullit edhe pleqtë që kishin ardhë për të: „A jom unë kriminel, që keni ardhë me shpata e me shkopinj? 53 Kur isha çdo ditë me ju në tempull, ju s’u çutë kundër meje. Po kjo asht ora juej edhe pushteti i territ.“

54 Atëherë e kapën, e çun me veti edhe e sollën në shpinë e Kryepriftit. Po Pjetri i shkonte mas, pak larg. 55 Në mes të oborrit e kallën nji zjarr, edhe Pjetri u ul aty me njerzt. 56 Nji shërbëtore e pa tu nejtë në dritën e zjarmit, e kqyri mirë edhe tha: „Edhe ky burrë ishte me të.“ 57 Po aj e mohoi: „S’e njoh, oj gru.“ 58 Pak ma vonë e pa dikush tjetër edhe tha: „Edhe ti je njoni pi tyne.“ Po Pjetri tha: „Jo, o njeri, s’jom.“ 59 Mas afërsisht nji ore, nji tjetër ngulte kambë fort: „Përnime, edhe ky burrë ishte me të, se aj asht Galileas.“ 60 Pjetri ju përgjigj: „O njeri! S’e di për qka po flet.“ Edhe menjiherë, derisa hala po fliste, këndoi nji gjel. 61 Atëherë Zotnia u kthye edhe e kqyri Pjetrin drejt, e Pjetri ju kujtun fjalët që Zotnia ja kishte thanë: „Para se sot të këndojë gjeli, ti ke me m’mohu tri herë.“ 62 Aj doli jashtë edhe qau me lot të hidhun.

63 Burrat që po e rujshin Jezusin nisën me e përqeshë edhe me e rrehë. 64 Ja mbulun ftyrën edhe vazhdimisht i thojshin: „Profetizo! Kush të ra?“ 65 Edhe i thanë edhe shumë fjalë tjera fyese.

66 Kur u bo ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, bashkë me kryepriftërinjtë edhe skribët. E çun në sallën e Sinedrit edhe kërkun: 67 „Nëse je Krishti, na kallxo“, e aj ju tha: „Edhe po t’ju kallxoj, ju kurrsesi s’keni me besu. 68 Edhe po t’ju pys diçka, ju s’keni me u përgjigj. 69 Po pi tash e tutje, Biri i njeriut ka me u ulë në anën e djathtë të fuqishme të Zotit.“ 70 Atëherë krejt e pytën: „Pra, a je ti Biri i Zotit?“ Aj ju përgjigj: „Ju vetë po thuni që jom.“ 71 Atëherë ata thanë: „Pse na duhen ma dëshmi tjera? E dëgjum vetë pi gojës së tij.“