Malakia 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Nji shpallje:
Mesazhi i Jehovës për Izraelin përmes Malakisë:

2 „Unë ju kom kallxu dashni“, thotë Jehova. Po ju po
thoni: „Qysh na ke kallxu dashni?“ „A s'u konë Esau vllau
i Jakobit?“, thotë Jehova. „Po unë e kom dasht Jakobin,

3 kurse Esaun e kom urrejt. Malet e tij i kom bo shkretinë, edhe trashëgiminë e tij ua kom lonë çakejve të shkretinës.“

4 „Edhe nëse Edomi thotë: ‘Na jemi shkatërru, po kemi me u kthy edhe kemi me i ndërtu apet vendet e rrënume’, Jehova, Zoti i ushtrive, thotë kështu: ‘Ata kanë me ndërtu, po unë kom me ua rrënu. Atë vend kanë me e qujt «vendi i ligësisë», edhe ata kanë me i qujt «populli që Jehova e ka dënu përgjithmonë».

5 Ju keni me e pa këtë me sytë tuej edhe keni me thanë: «Madhështia e Jehovës le të lavdërohet edhe përtej tokës së Izraelit.»’“

6 „‘Nji djalë e nderon babën e vet, edhe nji shërbëtor e nderon zotninë e vet. E nëse unë jom Babë, ku asht nderi që më takon? E nëse unë jom Zotni,
ku asht respekti që më takon?’, ju thotë Jehova, Zoti i ushtrive, juve priftërve që po e përbuzni emnin tem. ‘Po ju po thoni: «Qysh e kemi përbuz emnin tand?»’

7 ‘Duke pru ushqim të papastër si kurban përmi altarin tem.’ ‘E ju po thoni:
«Qysh të kemi papastëru ty?»’ ‘Duke thanë:
«Sofra e Jehovës s'vlen me u respektu.»

8 Edhe kur e bini nji kafshë të verbër për kurban, po thoni: «S'ka kurgjo të keqe.» Edhe kur e bini nji kafshë të çalë a të smutë, po thoni: «S'ka
kurgjo të keqe.»’“ „Provo, ofroja guvernatorit tand nji kafshë të tillë. A ka me u knaq aj me ty, a ka me të prit mirë?“, thotë Jehova, Zoti i ushtrive.

9 „E tash, ju lutna, lutjuni Zotit me na kallxu mirësi. Po kur po vini me qesi kurbane në dorë, a ka me e prit aj mirë najkon pi juve?“, thotë Jehova, Zoti i ushtrive.

10 „E kush pi juve asht i gatshëm me i mshel dyert? Se ju as zjarrin përmi altarin tem s'e ndizni pa ju pagu. Unë s'jom i knaqun me ju“, thotë Jehova, Zoti i ushtrive, „edhe asnji kurban që ma bini ju s'më pëlqen.“

11 „Se pi lindja deri në perëndim, emni jem ka me konë i madh mes popujve. Në çdo vend kanë me u djegë kurbane që tymi i tyne me u ngrit, edhe kanë me u pru kurbane të pastra për emnin tem, se emni jem ka me konë i madh mes popujve“, thotë Jehova, Zoti i ushtrive.

12 „Po ju po e çnderoni emnin tem duke thanë: ‘Sofra e Jehovës asht e papastër, edhe fryti i saj, ushqimi që gjindet përmi të, s'vlen kurgjo.’

13 Edhe po thoni: ‘Sa lodhje e madhe!’, edhe po e përbuzni me neveri“, thotë Jehova, Zoti i ushtrive. „Edhe po bini kafshë të vjedhuna, të çala e të smuta. Po, qesi kafshë po i bini si kurban! A po menoni që unë kom me i pranu këto pi dorës tuej?“, thotë Jehova.

14 „Mallku qoftë mashtruesi që e ka nji kafshë mashkull të shnoshë në tufën e vet, po bon nji zotim edhe ia flijon Jehovës nji kafshë me të meta. Se unë jom nji Mbret i madh“, thotë Jehova, Zoti i ushtrive, „edhe emni jem ka me ngjall respekt të thellë mes popujve.“