Mikea 4
1 Në ditët e fundit mali i shpisë
së Jehovait ka me nejt fort mbi
majat e maleve edhe ka me u
ngrit ma nalt se kodrat, edhe popujt
kanë me ardhë te aj si lumë.
2 Edhe shumë kombe kanë me u nis e
kanë me thanë: „Hajdeni, të hypim në
malin e Jehovait, te shpija e Zotit të
Jakobit. Aj ka me na mësu rrugët e
veta edhe na kena me ecë nëpër shtigjet
e tij.“ Se pi Sionit ka me
dalë ligji edhe pi Jerusalemit fjala e Jehovait.
3 Aj ka me gjyku mes shumë popujve edhe ka me i
ndreq punët që kanë të bojnë me kombe të forta e
të largëta. Ata kanë me i farku shpatat e veta me i
bo tehe parmende edhe shtizat e veta me i bo thika
për me krasit vneshtat. Asnji popull s'ka me e ngrit shpatën
kundër popullit tjetër, edhe s'kanë me mësu ma me bo luftë.
4 Secili ka me u ul nën hardhinë e vet
edhe nën fikun e vet, edhe kurkush s'ka me i
tutë, se kështu ka folë Jehovai, Zoti i ushtrive.
5 Se krejt popujt kanë me ecë mas zotave të vet, po na
kena me ecë mas Jehovait, Zotit tonë, përgjithmonë e jetë e mot.
6 „Atë ditë“, thotë Jehovai, „unë kam me
i mbledhë ata që çalojnë, edhe kam me
i bashku ata që jonë shpërnda, bashkë
me ata që i kom trajtu ashpër.
7 Ata që çalojnë kam me i bo nji pjesë të popullit
që ka mbetë, edhe ata që jonë larg, kam me i
bo nji popull të fortë. Edhe Jehovai ka me sundu
si mbret mbi ta në malin Sion, pi tash e përgjithmonë.
8 E ti, o kulla e kopesë, o muri
mbrojtës i bijës së Sionit, te ti ka me
ardhë sundimi i dikurshëm, po, ka me ardhë
prapë, mbretnia që i takon bijës së Jerusalemit.
9 Pse tash po bërtet kaq fort? A
s'ke mbret, a të ka vdekë
këshilltari, që të kanë kapë dhimt si
të nji gruje që po lind?
10 Përdridhu pi dhimtave edhe rënko, o bija e Sionit,
si nji grue që po lind, se tash ke
me dalë jashtë qytetit edhe ke me jetu në
fushë të hapët. Ke me shku deri në Babiloni
edhe atje ke me u liru. Atje Jehovai ka
me të ble prapë pi duarve të armiqve tu.
11 Tash shumë popuj kanë me u mbledhë kundër teje. Ata
kanë me thanë: ‚Le të fëlliqet ajo! Dojmë me
e pa me sytë tonë kur kjo t'i ndodhë Sionit!‘
12 Po ata s'i dinë mendimet e Jehovait, as s'e kuptojnë qka
ka aj ndërmend me bo. Se aj ka me i
mbledhë si nji rresht duajsh të grunit të sapokorrun në lëmë.
13 Çohu edhe shije drithin, o bija e Sionit. Se
unë kam me t'i bo brinat pi hekri edhe
thundrat pi bakri, edhe ti ke me i blu
në pluhun shumë popuj. Fitimin që e kanë
marrë pa ndershmni ke me ia dorëzu Jehovait edhe
pasuninë e tyne Zotnisë së vërtetë të krejt tokës.“