Nehemia 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Fjalët e Nehemisë, djalit t'Hakalias: N'mujin Kislev, n'vitin e 20-të, unë jom konë n'fortesën e Susës.

2 Atëherë ka ardhë Hanani, njani pi vllaznive t'mi, bashkë me do burra tjerë pi Juda. Unë i kom vetë për judenjtë që kanë mbetë e që kanë shpëtu pi robnia, edhe qysh asht gjendja n'Jerusalem.

3 Ata m'kanë thanë: “Ata që kanë mbetë atje n'krahinë, e që kanë mbijetu robninë, janë n'gjendje shumë t'keqe edhe po durojnë poshtnim. Muret e Jerusalemit janë t'rrënume edhe portat i kanë djegë.”

4 Sapo i kom ni këto fjalë, jom ulë edhe kom kajtë e kom majtë zi për shumë ditë. Krejt atë kohë kom agjëru edhe jom lutë para Zotit t'qiellit.

5 Unë kom thanë: “O Jehova, Zoti i qiellit, ti je Zot i madh që të shtin frikë e respekt! Ti e man besëlidhjen tande edhe u tregon dashni besnike krejt atyne që t'dojnë edhe i respektojnë urdhnat e tu.

6 T'lutna, vno veshin mirë edhe kqyr me kujdes, e ngoje lutjen e shërbëtorit tand që po ta boj sot. Ditë e natë jom tu u lutë për shërbëtorët e tu, izraelitët, edhe po i pranoj gjynahet që populli yt, Izraeli, i ka bo kundër teje. Na kemi bo gjynahe, unë edhe shpija e babës tem.

7 Na kemi vepru shumë keq, se s'i kemi majtë urdhnat, rregullat edhe vendimet gjyqësore që ia ke dhanë shërbëtorit tand Moisiut.

8 T'lutna, kujtoje paralajmërimin që ia ke dhanë shërbëtorit tand Moisiut: ‘Nëse s'jeni besnikë, unë kam me ju shpërnda ndër popuj.

9 Po nëse ktheheni te unë edhe i respektoni e i zbatoni urdhnat e mi, kam me ju mbledhë prapë edhe me ju çu n'vendin që e kom zgjedhë për emnin tem, edhe nëse jeni shpërnda deri n'skajet e qiellit.’

10 Këta janë shërbëtorët e tu edhe populli yt, që ti i ke çliru me fuqinë tande t'madhe edhe me dorën tande t'fortë.

11 O Jehova, t'lutna, vno veshin mirë edhe ngoje lutjen teme edhe lutjen e shërbëtorëve tu, që me gjithë zemër kanë frikë e respekt për emnin tand.
T'lutna, bon që sot me pasë sukses unë, shërbëtori yt, edhe që mbretit me i ardhë gjynah për mu.” Atë kohë unë jom konë shërbyesi i pijeve i mbretit.