Nehemia 2
1 U konë muji Nisan, në vitin e 20-të të sundimit të mbretit Artakserks. Si zakonisht, e kom marrë verën që ja kishin bo gati edhe ja kom dhanë mbretit. Po deri atëherë kurrë s’isha dukë i mërzitun para tij.
2 Mbreti më tha: “Pse po dukesh kaq i mërzitun, kur s’je i smutë? Kjo veç pi zemrës së mërzitun munet me ardh.” Atëherë m’ka kap nji frikë shumë e madhe.
3 I thashë: “Rroftë mbreti gjatë! Qysh mos me u mërzitë, kur qyteti ku jonë varros të parët e mi asht i rrënum, e portat e tij jonë djegë?”
4 Mbreti ma ktheu: “Qka po lyp pi meje?” Menjiherë ju kom lut Zotit të qiellit.
5 Masanej i thashë: “Nëse je dakord, o mbret, edhe nëse je i kënaqun me mu, shërbëtorin tand, atëherë t’lutna më ço në Judë, në qytetin ku jonë varros të parët e mi, që me e ndërtu prap.”
6 Mbreti, që e kish grun e vet mbretëreshë ulun ngat tij, më veti: “Sa ka me zgjatë udhëtimi yt, edhe kur ke me u kthy prap?” Mbreti u pajtu me m’lanë me shku, edhe unë ja tregova nji kohë të caktume.
7 Masanej i thashë: “Nëse je dakord, o mbret, le të m’i japin do letra për guvernatorët në anën perëndimore të Eufratit, që me m’lanë me kalu të sigurt deri në Judë.
8 Edhe nji letër për Asafin, përgjegjësin e pyllit të mbretit, që me më dhanë dru për ndërtimin e portave të kalasë ngat tempullit, edhe për murin e qytetit e për shpinë ku kom me banu.” Mbreti m’i plotësoi kërkesat, se dora e mirë e Zotit tem u konë mbi mu.
9 Mbreti m’i ka dhanë me vete edhe do komandantë të ushtrisë e kalorës. Në fund kom mbërri te guvernatorët në anën perëndimore të Eufratit edhe ua kom dhanë letrat e mbretit.
10 Kur Sanballati, horoniti, edhe Tobija, zyrtari amonit, kanë marrë vesh për këtë, ju ka ardh shumë inati që dikush kish ardh me bo diçka të mirë për popullin e Izraelit.
11 Në fund kom mbërri në Jerusalem edhe kom nejt aty tri ditë.
12 Natën jom nisë me do burra, po kërkujt s’i kom kallxu qka ma kish qit Zoti jem në zemër me bo për Jerusalemin. S’kom pas kafshë tjera me vete, veç atë që i kom hyp.
13 Natën kom dal jashtë naper Portën e Luginës, kom kalu ngat Burimi i Gjarpnit të Madh edhe kom shku deri te Porta e Grumbullit të Hinit, për me i kqyr muret e rrënume të Jerusalemit edhe portat e qytetit që jonë djegë.
14 Masanej kom vazhdu deri te Porta e Burimit edhe te Pellgu i Mbretit, po aty u konë shumë ngushtë për kafshën që i kom hyp.
15 Po unë kom vazhdu rrugën natën, përpjetë luginës, tu e kqyr murin. Masanej jom kthy mbrapa edhe kom hy prap naper Portën e Luginës.
16 Nënkryetarët s’e kanë dit kah kom shku as qka kom bo, se hala s’ju kisha kallxu kurgjo judenjve, as priftërinjve, as burrave me ndikim, as nënkryetarëve e as tjerëve që kishin me marrë pjesë në rindërtim.
17 Në fund ju kom thanë: “Ju vet po e shihni në qfarë gjendje të keqe jemi. Jerusalemi asht i rrënum edhe portat e tij jonë djegë. Hajdeni, ta ndërtojmë prap murin e Jerusalemit, që mos me met ma me këtë marre!”
18 Masanej ju kom kallxu qysh dora e mirë e Zotit tem u konë mbi mu, edhe qka më kish thanë mbreti. Atëherë ata thanë: “Hajde, t’ja nisim punës edhe ta ndërtojmë!” Edhe u forcuan për me ja nis punës.
19 Kur Sanballati, horoniti, Tobija, zyrtari amonit, edhe Geshemi, arabi, kanë marrë vesh për këtë, ja nisën me na përqeshë e me na përbuzë. Na thanë: “Qka po boni ju aty? A po çoheni kundër mbretit a?”
20 Po unë ju ktheva: “Zoti i qiellit ka me na ndihmu me pas sukses, e na, shërbëtorët e tij, kemi me ja nis punës edhe kemi me ndërtu. Po ju s’keni kurgjo me lyp në Jerusalem. Këtu s’keni as të drejtë ligjore, as të drejtë që ju takon pi së kalumes.”