Nehemia 8
1 Më në fund, krejt populli asht mbledhë bashkë si nji trup n'sheshin para Portës së Ujit. Ata i kanë kërku Ezrës, shkruesit, me e pru librin e Ligjit të Moisiut, që Jehovai ua ka dhonë izraelitëve.
2 Ditën e parë t'mujit t'shtatë, prifti Ezra e ka pru Ligjin para krejt atyne që u mblodhën, burrave, grave edhe krejt tjerëve që mujshin me ngu e me kuptu.
3 Pi sabahu herët deri n'drekë, aj ka lexu pi librit të Ligjit n'sheshin para Portës së Ujit, para burrave, grave edhe krejt atyne që mujshin me kuptu. Krejt populli e ka ngu me shumë kujdes.
4 Shkruesi Ezra ka nejtë mbi nji platformë prej druni, që e kishin ndërtu veç për këtë rast. Në anën e djathtë t'tij kanë nejtë Matitja, Shema, Anaja, Urija, Hilkija edhe Maaseja. Në anën e majtë kanë nejtë Pedaja, Mishaeli, Malkija, Hashumi, Hashbadana, Zaharja edhe Meshullami.
5 Ezra e ka çelë librin. Krejt populli ka mujtë me e pa, se aj u konë ma nalt se ata. Kur e ka çelë librin, krejt populli asht çu n'kamë.
6 Masanej Ezra e ka lavdëru Jehovain, Zotin e madh e të vërtetë. Krejt populli u ka përgjigjë: „Amin! Amin!“, edhe i kanë çu durt nalt. Ata janë përkulë thellë edhe kanë ra me ftyrë për tokë para Jehovait.
7 Masanej levitët Jeshua, Bani, Sherebja, Jamin, Akkub, Shabbetai, Hodija, Maaseja, Kelita, Azarja, Jozabadi, Hanani edhe Pelaja ua kanë shpjegu Ligjin njerëzve. Gjatë asaj kohe, populli ka nejtë n'kamë.
8 Kur kanë lexu pi librit të Ligjit të Zotit të vërtetë, ata ua kanë shpjegu qartë fjalët edhe kuptimin e tyne. Kshtu populli e ka kuptu atë që u lexu.
9 Nehemia, që u konë guvernator n'at kohë, Ezra, prifti edhe shkruesi, edhe levitët që po e mësojshin popullin, u kanë thanë krejtve: „Sot asht nji ditë e shenjtë për Jehovain, Zotin juej. Mos u pikëlloni edhe mos kajtni.“ Se krejt populli ka nisë me kajtë kur i ka ni fjalët e Ligjit.
10 Nehemia u ka thanë: „Shkoni, hani ushqime të mira për festë, pini pije t'ambla edhe ndani me ata që s'kanë kurgjo. Se kjo ditë asht e shenjtë për Zotnin tonë. Mos u mërzitni, se gëzimi që jua jep Jehovai ju jep forcë.“
11 Edhe levitët i kanë thanë krejt popullit: „Qetësohuni, se kjo ditë asht e shenjtë! Mos u mërzitni.“
12 Tash që populli i ka kuptu shpjegimet, krejt kanë shku me bo nji festë plot gëzim. Kanë hangër e kanë pi edhe e kanë nda ushqimin e vet me të tjerët.
13 Ditën e dytë, kryetarët e familjeve të mëdhaja të krejt popullit, priftat edhe levitët janë mbledhë te Ezra, shkruesi, për me i kuptu edhe ma mirë e ma thellë fjalët e Ligjit.
14 Në Ligjin që Jehovai e ka dhonë përmes Moisiut, ata e kanë gjetë të shkrume se izraelitët duhej me jetu në kasolle prej degëve gjatë festës që mbahej n'mujin e shtatë.
15 Në krejt qytetet e tyne edhe në krejt Jerusalemin u dasht me u lajmru kjo edhe me u thanë: „Shkoni n'male edhe merrni degë të gjelbra pi ullinjve, pishave, mirtave, palmave edhe drujve tjerë, për me bo kasolle prej degëve, qysh asht urdhnu.“
16 Kshtu ata kanë shku edhe kanë marrë degë për me i ndërtu kasollet e veta. Secili ka ndërtu mbi çatinë e shpisë së vet, edhe nëpër oborre, në oborret e shpisë së Zotit të vërtetë, n'sheshin para Portës së Ujit edhe n'sheshin para Portës së Efraimit.
17 Krejt ata që janë kthy pi robnia i kanë ndërtu kasollet prej degëve edhe kanë jetu n’to. Pi koha e Joshuas, djalit t'Nunit, e deri n'at ditë, izraelitët s'e kishin festu ma në këtë mënyrë. Për qata gëzimi u konë shumë i madh.
18 Çdo ditë kanë lexu pi librit të Ligjit të Zotit të vërtetë, pi dita e parë deri te dita e fundit. Festa ka zgjatë shtatë ditë, e ditën e tetë e kanë mbajtë nji mbledhje të posaçme e solemne, qysh u konë urdhnu.