Predikuesi 10

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Qysh mizat e dekuna e bojnë me marrë erë të keqe edhe me u prishë vajin e atij që i përzien vajrat me erë, qashtu edhe pak budallaki peshon ma shumë se mençunia edhe nami i mirë.

2 Zemra e njeriut të mençëm e çon në rrugë të drejtë, kurse zemra e atij që s'ka men e çon në rrugë të gabume.

3 Kahdo që shkon budalla, i mungojnë mentë, edhe ua kallxon krejtve që asht budalla.

4 Nëse sundimtari zemërohet shumë me ty, mos e lësho vendin tand, se me nejtë i qetë munesh me i parandalu gjynahet e mëdhaja.

5 Kom pa nji sen shumë të mërzitshëm nën diell, nji gabim që e bojnë ata që e kanë pushtetin:

6 Njerzit pa men i qesin në shumë pozita të nalta, kurse të pasunit mbesin në pozita të ulta.

7 Kom pa shërbëtorë hypun mbi kuaj, e princa që kanë ecë në kambë si shërbëtorë.

8 Kush e hap nji gropë, munet me ra vet mrena, e kush e çan nji mur prej guri, munet me e kafshu nji gjarpën.

9 Kush i then gurët, munet me u lëndu pi tyne, e kush pren dru, munet me e qitë veten në rrezik.

10 Nëse nji vegël hekuri asht e topitun e nuk ia mpreh tehun, duhet me përdorë shumë forcë. Ama mençunia të ndihmon me pasë sukses.

11 Nëse gjarpni kafshon para se me ia bo magjinë, atëherë s'të vyn kurgjo nji njeri i zoti që din me ua bo magjinë gjarpijve.

12 Fjalët që dalin pi goja e njeriut të mençëm i sjellin respekt, ama njeriu pa men e shkatërron veten me fjalët e veta.

13 Fjalët e para që i dalin pi goja jonë budallaki, e fjalët e fundit jonë marrëzi që sjell shumë të këqija.

14 E prapë njeriu pa men vazhdon me folë pa nalë. Njeriu s'e din qka
ka me ndodhë. Kush munet me ia kallxu qka ka me ardhë mas tij?

15 Njeriu pa men lodhet krejt pi punës së vet të randë, se s'e din as qysh me e gjetë rrugën për në qytet.

16 Mjerë ai vend ku mbreti asht hala nji djalë i ri, e princat ja nisin me bo gosti qysh n'sabah!

17 Sa mirë për atë vend ku mbreti asht djalë i nji familjeje fisnike, e princat hanë në kohën e duhun për me marrë forcë, e jo për me u dehë!

18 Pi përtacia e madhe, trarët e çatisë lëshohen teposhtë, e pi durt dembele shpia nis me pikë.

19 Buka i bon njerzit me qeshë, e vena e bon jetën ma të këndshme, ama paret i plotësojnë krejt nevojat.

20 Mos e mallko mbretin as me mend, e mos e mallko të pasunin as në dhomën ku flen, se naj zog munet me e çu zanin tand, e nji krijesë me krahë munet me i përsëritë fjalët e tua.