Predikuesi 9
1 Kështu, i kom marrë krejt këto sene për zemër edhe e kom kuptu që njerëzit e drejtë edhe të mençur, bashkë me punët e tyne, jonë në dorën e Zotit të vërtetë. Njerëzit s'dinë kurgjo për dashninë edhe urrejtjen e kohës para tyne.
2 Krejtve ju ndodh e njejta, si të drejtëve, ashtu edhe të këqijve, si të mirëve edhe të pastërve, ashtu edhe të papastërve, si atyne që bojnë kurbane, ashtu edhe atyne që s'bojnë kurbane. Njeriu i mirë e ka fundin njëjtë si gjynahqari, edhe aj që betohet e ka fundin njëjtë si aj që ka kujdes me u betu.
3 Kjo asht e keqja e madhe që po ndodh nën diell: Se krejt e kanë të njejtin fund, zemrat e njerëzve jonë plot me të këqija, edhe çmendunia ju rrin në zemër gjatë krejt jetës së tyne, e masanej vdesin!
4 Për secilin që asht gjallë ka shpresë, se ma mirë e ka nji qen i gjallë sesa nji luan i dekun.
5 Se të gjallët e dinë që kanë me dekë, po të dekunit s'dinë kurgjo hiq. Ata as s'kanë me marrë ma kurrfarë shpërblimi, se kujtimi për ta asht harru krejt.
6 Edhe dashnia e tyne, urrejtja e tyne edhe xhelozia e tyne jonë shujtë moti, edhe ata s'kanë ma pjesë në asnji sen që bohet nën diell.
7 Shko, haje bukën tande me gëzim edhe pije verën tande me zemër të gëzume, se Zotit të vërtetë veç i kanë pëlqy punët e tua.
8 Teshat e tua le të jenë gjithmonë të bardha, edhe mos harro me qitë vaj në kry.
9 Kënaqu me jetën bashkë me gruen që e don, gjatë krejt ditëve të jetës së kotë që Zoti t'i ka dhanë nën diell, po, gjatë krejt atyne ditëve të kota. Se kjo asht pjesa që të ka ra në jetë edhe shpërblimi për krejt punën e randë që e bon nën diell.
10 Krejt qka munesh me bo, bone me krejt fuqinë tande, se në vorr, aty ku ke me shku, s'ka as punë, as plane, as dije, as mençuni.
11 Edhe nji sen tjetër e kom pa nën diell: Nuk e fitojnë gjithmonë garën ata që jonë të shpejtë, as luftën ata që jonë të fortë. As të mençurit s'kanë gjithmonë bukë me hangër, as të zgjuarit s'kanë gjithmonë pasuni, e as ata që dinë shumë s'kanë gjithmonë sukses. Se koha edhe ngjarjet e paprituna i prekin krejt.
12 Se njeriu s'e din kur ka me i ardhë koha. Qysh kapen peshqtë në nji rrjetë të rrezikshme edhe zogjtë në kurth, ashtu edhe njerëzit kapen në kohë fatkeqësie, kur ajo ju vjen papritmas.
13 Edhe këtë e kom pa nën diell për mençuninë, edhe më ka lonë shumë përshtypje:
14 U konë nji qytet i vogël, ku jetojshin pak burra. Nji mbret i fuqishëm ka ardhë kundër atij qyteti, e ka rrethu edhe ka ndërtu vende të mëdha për me e sulmu.
15 Në atë qytet u konë edhe nji burrë i varfën, po i mençur, që me mençuninë e vet e ka shpëtu qytetin. Po askush s'e ka kujtu ma atë burrë të varfën.
16 Atëherë kom thanë me veti: „Mençunia asht ma e mirë se fuqia, po mençunia e nji njeriu të varfën përbuzet edhe fjalët e tij s'i ngon kush.“
17 Ma mirë asht me i ngu fjalët e qeta të nji njeriu të mençur, sesa britmat e nji sundimtari që sundon mes njerëzve pa mend.
18 Mençunia asht ma e mirë se armët e luftës, po veç nji gjynahqar munet me shkatërru shumë të mira.