Psalmi 58
1 A muneni me folë për drejtësi kur po rrini pa folë?
A muneni me gjyku drejt e me sinqeritet, ju bijtë e njerëzve?
2 Jo, përkundrazi, ju po planifikoni padrejtësi n'zemrat tuaja,
edhe me duart tuaja po përhapni dhunë n'vend.
3 T'këqijtë qysh pi lindjes shkojnë rrugës së gabume.
Qysh kur vijnë n'këtë botë jonë kryeneçë e rrenacakë.
4 Helmi i tyne asht si helmi i gjarpnit.
Jonë t'shurdhët si kobra që e mbyll veshin.
5 Ajo s'ia ngon zanin atyne që i magjepsin gjarpijtë,
sado mirë që i thojnë fjalët e tyne magjike.
6 O Zot, thyejau dhambët!
Thyejau nofullën këtyne luanëve, o Jehova!
7 Le t'zhduken si uji që thithet n'dhe.
Zoti le ta tërheqë harkun e vet edhe le t'i rrëzojë me shigjetat e veta.
8 Le t'bohen si kërmilli që shkrihet rrugës, si fëmija i nji
gruje që lind pa jetë e që kurrë s'e sheh diellin.
9 Para se tenxheret tuaja me e ndi zjarrin e ferrave, Zoti ka me
i marrë me stuhi edhe degët e njoma, edhe ato që po digjen.
10 I drejti ka me u gëzu se e ka pa hakmarrjen.
Kambët e tij kanë me shkelë n'gjakun e t'këqijve.
11 Atëherë njerëzit kanë me thanë: «Po, ka shpërblim për të drejtët.
Vërtet ka nji Zot që kujdeset me pasë drejtësi n'tokë.»