Romakëve 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Pavli, rob i Krishtit Jezus, i thirrun me qenë apostull edhe i veçum për lajmin e mirë të Zotit, 2 që Zoti e kishte shpallë përpara përmes pejgamberëve të vet në Shkrimet e Shenjta. 3 Ky mesazh ka të bajë me Birin e tij, që si njeri erdh pi pasardhësit e Davidit, 4 po përmes frymës së shenjtërisë, nëpërmjet ringjalljes pi të dekuneve, u shpall me fuqi si Biri i Zotit, po, Jezu Krishti, Zotnia jonë. 5 Përmes tij kemi marrë mirësi të pameritume edhe apostullim, që mes krejt kombeve, për nder të emnit të tij, me pasë bindje që vjen pi besimi. 6 Mes këtyne kombeve jeni edhe ju të thirrun me i taku Jezu Krishtit. 7 Krejt atyne në Romë që Zoti i don edhe që janë të thirrun me qenë të shenjtë:
Ju uroj mirësi të pameritume edhe paqe pi Zoti, Ati jonë, edhe pi Zotnia Jezu Krisht.

8 Së pari, du me e falënderu Zotin tem përmes Jezu Krishtit për krejt ju, sepse për besimin tuej po flitet në krejt botën. 9 Sepse Zoti, të cilit i baj shërbim të shenjtë me krejt shpirtin tem në lidhje me lajmin e mirë për Birin e tij, asht dëshmitari jem që unë ju përmendi vazhdimisht në lutjet e mia 10 edhe po lutem që, nëse asht e mundshme e nëse Zoti don, tash ma në fund me mujtë me ardhë te ju. 11 Sepse kam shumë mall me ju pa, që me ju dhanë naj dhuratë frymore, që ju me u forcu, 12 ose ma mirë me thanë, që na me i dhanë zemër njani-tjetrit përmes besimit tonë, si përmes besimit tuej, ashtu edhe temit.

13 Po du ta dini, vllazën, që shpesh kam pasë ndërmend me ardhë te ju, po deri tash jam pengu, që puna jeme mes jush me pasë fryt, qysh ka pasë edhe mes kombeve tjera. 14 Kam detyrim ndaj Grekëve edhe ndaj të hujve, ndaj të mençurve edhe ndaj atyne që s’kuptojnë. 15 Prandaj kam shumë dëshirë me jau shpallë lajmin e mirë edhe juve atje në Romë. 16 Sepse nuk më vjen marre për lajmin e mirë. Në fund të fundit, aj asht fuqia e Zotit për shpëtim për secilin që ka besim, së pari për Judenjtë, pastaj edhe për Grekët. 17 Në të zbulohet drejtësia e Zotit përmes besimit edhe për besim. Sepse në Shkrime thuhet: „I drejti ka me jetu për shkak të besimit të vet.“

18 Sepse zemërimi i Zotit po zbulohet pi qielli kundër çdo mosrespekti ndaj Zotit edhe kundër çdo padrejtësie të njerzve që e shtypin të vërtetën në mënyrë të padrejtë. 19 Sepse ajo që mundet me u ditë për Zotin, asht e qartë për ta, meqë Zoti jau ka bo të qartë. 20 Në fakt, cilësitë e tij të padukshme shihen qartë qysh pi krijimi i botës, sepse kuptohen përmes veprave të krijimit, po, fuqia e tij e përjetshme edhe hyjnia e tij, kështu që ata s’kanë arsyetim. 21 Sepse, edhe pse e njohën Zotin, nuk e lavdëruan si Zot, as nuk e falënderuan, po u dhanë mas mendimeve të kota, edhe zemra e tyne pa kuptim u terru. 22 Edhe pse thojshin që janë të mençur, u banë pa mend 23 edhe e ndërruan lavdinë e Zotit që nuk prishet me diçka që i ngjan pamjes së njeriut që prishet, zogjve, kafshëve me katër kambë edhe zvarranikëve.

24 Prandaj Zoti i la, simas dëshirave të zemrës së tyne, në papastërti, kështu që trupat e tyne u çnderuan mes veti. 25 Ata e ndërruan të vërtetën e Zotit me rrenë, edhe e nderuan krijimin e i banë shërbim të shenjtë atij në vend të Krijuesit, që asht i lavdëruem përgjithmonë. Amin. 26 Për qata Zoti i la në pasione seksuale që i çnderojnë, sepse gratë e tyne e ndërruan marrëdhënien natyrshme me atë që s’asht natyrshme. 27 Po qashtu edhe burrat e lanë marrëdhënien natyrshme me gra edhe u ndezën fort në pasion ndaj njani-tjetrit, burra me burra. Ata banë sene të turpshme edhe morën në veten e vet dënimin që ju takonte për devijimin e tyne.

28 Masi ata nuk deshtën me e pranu Zotin, Zoti i la në nji gjendje mendore që aj nuk e miraton, kështu që bojnë sene që s’duhen. 29 Janë plot padrejtësi, ligësi, lakmi edhe të keqe, plot zili, vrasje, grindje, mashtrim edhe poshtërsi. Janë llafazanë, 30 shpifës, urrejtës të Zotit, të paturpshëm, krenarë, mburravecë, shpikës të dëmeve, të pabindun ndaj prindërve, 31 pa kuptim, shkelës të marrëveshjeve, pa dashni edhe pa dhimt. 32 Edhe pse këta njerz e dinë shumë mirë vendimin e drejtë të Zotit, domethanë që krejt ata që bojnë sene të tilla meritojnë vdekjen, ata jo veç që vazhdojnë me i bo, po edhe pajtohen me tjerët që i bojnë të njejtat sene.