Romakëve 10

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Vllazën, përnime dëshira e zemrës teme edhe lutja jeme me përgjërim te Zoti asht që ata me u shpëtu. 2 Sepse unë dëshmoj për ta që kanë zell për Zotin, po ju mungon njohuria e saktë. 3 Masi nuk e njohën drejtësinë e Zotit, po u munduan me e ngritë të vetën, ata nuk ju nënshtruan drejtësisë së Zotit. 4 Sepse Krishti asht fundi i Ligjit, që secili që beson me u pa si i drejtë.

5 Moisiu shkruen për drejtësinë simas Ligjit: „Njeriu që i bon krejt këto, ka me jetu përmes tyne.“ 6 Po drejtësia që vjen pi besimi thotë: „Mos e pyet veten: ‘Kush ka me hypë në qiell?’, domethanë për me e zhdrypë Krishtin, 7 ose: ‘Kush ka me zhdrypë në humnerë?’, domethanë për me e nxjerrë Krishtin nalt pi të dekuneve.“ 8 Po qka thuhet? „Fjalët i ke afër, në gojën tande edhe në zemrën tande“, domethanë „fjalët“ e besimit që na i predikojmë. 9 Sepse nëse ti me gojën tande e shpall hapur që Jezusi asht Zotni, edhe në zemrën tande beson që Zoti e ka ringjallë pi të dekuneve, ke me u shpëtu. 10 Sepse me zemër njeriu beson, edhe kjo çon në drejtësi, po me gojë jep deklaratë publike, edhe kjo çon në shpëtim.

11 Sepse në nji Shkrim thuhet: „Asnjoni që e mbështet besimin në të, s’ka me u zhgënjy.“ 12 Sepse s’ka dallim mes Judesë edhe Grekut. Krejt e kanë të njejtin Zotni mbi veti, që asht bujar ndaj krejt atyne që e thirrin. 13 Sepse „secili që e thirr emnin e Jehovajt ka me u shpëtu“. 14 Po qysh kanë me e thirrë atë, nëse nuk besojnë në të? Edhe qysh kanë me besu në të, nëse nuk kanë ni për të? E qysh kanë me ni, nëse dikush nuk predikon? 15 Edhe qysh kanë me prediku, nëse nuk janë dërgu? Sepse në Shkrime thuhet: „Sa të bukura janë kambët e atyne që shpallin lajmin e mirë për sene të mira!“

16 Megjithatë, jo krejt ju bindën lajmit të mirë. Se Isaia thotë: „Jehova, kush i ka besu asaj që ka ni pi neve?“ 17 Pra, besimi vjen mas asaj që nihet. E ajo që nihet vjen përmes mesazhit për Krishtin. 18 Po unë po pyes: A mos nuk kanë ni? Në fakt, „zani ka dalë në krejt botën, edhe mesazhi deri në skajin e tokës së banueme“. 19 Prapë po pyes: A mos Izraeli nuk e ka kuptu? Së pari Moisiu thotë: „Kam me ju shti në xhelozi përmes nji populli që s’asht popull. Kam me ju shti në zemërim të madh përmes nji populli pa kuptim.“ 20 Edhe Isaia guxon me thanë: „Më gjetën ata që nuk po më kërkojshin. U bana i njohun për ata që nuk po pytshin për mu.“ 21 Kurse për Izraelin thotë: „Tanë ditën i kam shtri duert kah nji popull i pabindun e kryeneç.“