Romakëve 11
1 Pra po pyes: A mos e ka hedhë poshtë Zoti popullin e vet? Kurrsesi! Sepse edhe unë jom Izraelit, pi pasardhësit e Abrahamit, pi fisi i Benjaminit. 2 Zoti nuk e ka hedhë poshtë popullin e vet, që e ka pranu ma parë. A nuk e dini qka thuhet në Shkrime në lidhje me Elinë, kur ju ankua Zotit për Izraelin? 3 „Jehova, ata i kanë mbytë pejgamberët e tu, i kanë rrënu altarët e tu. Veç unë kam mbetë, edhe tash po dojnë me ma marrë edhe jetën.“ 4 Po qka i thotë fjala e Zotit? „Kanë mbetë edhe 7000 burra që nuk janë ulë në gjunjë para Baalit.“ 5 Qashtu edhe në kohën e tashme ka nji mbetje që asht zgjedhë përmes mirësisë së pameritume. 6 E nëse asht përmes mirësisë së pameritume, atëherë nuk asht ma përmes veprave. Përndryshe, mirësia e pameritume nuk kish qenë ma mirësi e pameritume.
7 Qka domethanë kjo tash? Atë që Izraeli e kërkonte me ngulm, nuk e arriti, po të zgjedhunit e arritën. Kurse të tjerëve ju asht mpinë mendja. 8 Sepse në Shkrime thuhet: „Zoti ju ka dhanë nji frymë gjumi të thellë, sy që nuk shohin edhe veshë që nuk ngojnë, deri në ditën e sotme.“ 9 Edhe Davidi thotë: „Tavolina e tyne le t’ju bohet kurth, lak, gur pengese edhe arsye për dënim. 10 Le t’ju errësohen sytë që mos me pa, edhe le t’ju kërruset shpina vazhdimisht.“
11 Prandaj po pyes: A mos u penguan ata e ranë krejt? Kurrsesi! Po për shkak të hapit të tyne të gabum, njerzt pi kombeve tjera po shpëtohen, që ata me u shti në xhelozi. 12 Nëse tash hapi i tyne i gabum domethanë pasuni për botën, edhe pakësimi i tyne pasuni për njerzt pi kombeve tjera, sa ma shumë ka me domethanë numri i tyne i plotë!
13 Tash po ju flas juve që jeni njerz pi kombeve tjera. Masi jom apostull për kombet tjera, e lavdëroj shërbimin tem, 14 për me pa a mundem në naj mënyrë me e shti në xhelozi popullin tem edhe me i shpëtu disa pi tyne. 15 Sepse nëse hedhja poshtë e tyne domethanë pajtim për botën, qka ka me domethanë pranimi i tyne, përveç jetë për të dekunit? 16 Nëse pjesa e brumit që merret si fryt i parë asht e shenjtë, atëherë edhe krejt masa asht e shenjtë. Edhe nëse rrënja asht e shenjtë, edhe degët janë të shenjta.
17 Po nëse disa degë u thyen edhe ti, edhe pse je pi nji ulli i egër, u shartove mes tyne edhe tash ke pjesë në pasuninë e rrënjës së ullinit, 18 mos u bo krenar ndaj degëve. Po nëse bohesh krenar, mbaje në mend që nuk je ti që e mban rrënjën, po rrënja të mban ty. 19 Tash ti ke me thanë: „Degët janë thye që unë me u shartu.“ 20 E vërtetë! Ato u thyen për shkak të mosbesimit të tyne, kurse ti po qëndron përmes besimit. Mos u bo krenar, po ki frikë. 21 Sepse nëse Zoti nuk i kurseu degët natyrale, nuk ka me të kursy as ty. 22 Pra, kuptoje mirësinë edhe rreptësinë e Zotit: rreptësi ndaj atyne që kanë ra, po mirësi e Zotit ndaj teje, nëse vazhdon me qëndru në mirësinë e tij. Përndryshe edhe ti ke me u pre. 23 Edhe ata kanë me u shartu, nëse nuk mbesin në mosbesimin e tyne, sepse Zoti mundet me i shartu prapë. 24 Sepse nëse ti u preve pi ullini që pi natyra asht i egër edhe kundër natyrës u shartove në ullinin e mirë, atëherë sa ma shumë kanë me u shartu ata, degët natyrale, në ullinin e vet!
25 Sepse nuk du, vllazën, që ju mos me e ditë këtë sekret të shenjtë, që mos me e pa veten si të mençur: Te Izraeli ka ndodhë nji mpirje e mendjes pjesërisht, derisa të hyjë numri i plotë i njerzve pi kombeve tjera, 26 edhe në këtë mënyrë krejt Izraeli ka me u shpëtu. Sepse në Shkrime thuhet: „Çlirimtari ka me ardhë pi Sioni edhe ka me i hjekë veprat pa respekt për Zotin pi Jakupi. 27 Edhe kjo asht besëlidhja jeme me ta, kur t’ua hjeki gjynahet.“ 28 Sa i përket lajmit të mirë, ata janë armiq për shkak juejin, po sa i përket zgjedhjes së Zotit, ata janë të dashtun për shkak të të parëve të tyne. 29 Sepse Zoti nuk ka me u pendu për dhuratat edhe thirrjen që vijnë pi aj. 30 Dikur ju nuk ju bindët Zotit, po tash ju asht tregu dhimt për shkak të mosbindjes së tyne. 31 Qashtu edhe ata tash kanë qenë të pabindun, që për ju ka sjellë dhimt, që edhe atyne tash me ju tregu dhimt. 32 Sepse Zoti i ka lanë krejt bashkë me u bo robër të mosbindjes, që të gjithëve me ju tregu dhimt.
33 Sa e thellë asht pasunia, mençuria edhe njohuria e Zotit! Sa të pahulumtueshme janë vendimet e tij edhe sa të pagjurmueshme udhët e tij! 34 Sepse „kush e ka njoftë mendjen e Jehovajt, apo kush u bo këshilltari i tij“? 35 Apo: „Kush i ka dhanë diçka ma parë, që të duhet me ju kthy?“ 36 Sepse krejt senet janë pi aj, përmes tij edhe për të. Atij i takon lavdia përgjithmonë. Amin.