Romakëve 12
1 Prandaj po ju lutem fort, vllazën, për shkak të dhimtës së Zotit, me i vu trupat tuej në dispozicion si kurban të gjallë, të shenjtë edhe të pranueshëm për Zotin. Kështu po bani shërbim të shenjtë simas arsyes tuej. 2 Edhe mos e leni ma veten me u formu pi ky sistem i botës, po ndryshoni përmes ripërtëritjes së mendjes tuej, që me e vërtetu përmes provës qka asht vullneti i mirë, i pranueshëm edhe i përsosun i Zotit.
3 Sepse përmes mirësisë së pameritume që m’u dha, po i thom secilit pi jush mos me mendu për veten ma shumë se qka duhet. Përkundrazi, mendoni me arsye, simas masës së besimit që Zoti ja ka dhanë secilit. 4 Sepse qysh në nji trup të vetëm kemi shumë pjesë të trupit, po jo krejt pjesët e kanë të njejtën punë, 5 qashtu edhe na, edhe pse jemi shumë, në lidhje me Krishtin jemi nji trup i vetëm, kurse si individë jemi pjesë që i takojnë njani-tjetrit. 6 Edhe kemi dhurata të ndryshme, simas mirësisë së pameritume që na asht dhanë. Nëse asht dhurata me profetizu, atëherë le të profetizojmë simas masës së besimit tonë. 7 Nëse asht detyrë shërbimi, atëherë le t’i përkushtohemi asaj detyre shërbimi. Kush mëson, le t’i përkushtohet mësimit. 8 Kush jep zemër, le të jep zemër. Kush jep, le ta bojë me zemërgjerësi. Kush ka detyrë me udhëheqë, le ta kryjë me kujdes. Kush tregon dhimt, le ta bojë me gëzim.
9 Dashnia juej mos të jetë me dyftyrësi. Urreni të keqen. Kapuni fort për të mirën. 10 Duajeni njani-tjetrin si vllazën edhe keni dashni të ngrohtë për njani-tjetrin. Merrni iniciativën kur asht puna me i dhanë nder njani-tjetrit. 11 Jini punëtorë, jo dembelë. Jini të zjarrtë në frymë. Shërbeni si robër për Jehovajn. 12 Gëzohuni në shpresë. Qëndroni në vështirësi. Mos u nalni së lutuni. 13 Ndani me të shenjtit simas nevojave të tyne. Jini gjithmonë mikpritës. 14 Vazhdoni me i beku ata që ju përndjekin. Bekoni, e mos mallkoni. 15 Gëzohuni me ata që gëzohen. Kajni me ata që kajnë. 16 Shihni tjerët qysh e shihni veten. Mos kërkoni sene të nalta, po ecni në udhën e përulësisë. Mos e shihni veten si të mençur.
17 Mos ja ktheni kërkujt të keqen me të keqe. Mendoni për atë që asht e mirë në sytë e krejt njerzve. 18 Nëse asht e mundshme, aq sa varet pi ju, mbani paqe me krejt njerzt. 19 Mos u hakmerrni vetë, të dashtun, po leni vend për zemërimin. Sepse në Shkrime thuhet: „‘Hakmarrja asht puna jeme. Unë kam me e pagu’, thotë Jehovaj.“ 20 Përkundrazi, „nëse armiku yt ka uri, jepi me hangër. Nëse ka etje, jepi me pi. Sepse, tu e bo këtë, po mbledh thëngjij të ndezun mbi kryt e tij.“ 21 Mos lejo me të mposhtë e keqja, po gjithmonë mposhte të keqen me të mirën.