Romakëve 13
1 Çdo njeri le t’ju nënshtrohet autoriteteve ma të nalta, sepse s’ka autoritet që nuk vjen pi Zoti. Autoritetet që ekzistojnë janë në pozitat e tyne relative simas rregullimit të Zotit. 2 Prandaj kush i kundërshton autoritetit, po i del kundër rregullimit që e ka vendosë Zoti. Ata që i dalin kundër, kanë me marrë dënim. 3 Sepse ata që bojnë mirë nuk kanë pse me ju tutë sundimtarëve, po ata që bojnë keq. A don me jetu pa frikë pi autoriteti ma i naltë? Vazhdo me bo mirë, edhe ke me marrë lavdërim pi aj. 4 Sepse aj asht shërbëtor i Zotit për të mirën tande. Po nëse bon keq, atëherë ki frikë. Sepse aj nuk e mban shpatën kot. Aj asht shërbëtor i Zotit, që merr hak për me shprehë zemërim ndaj atij që bon keq.
5 Prandaj ka arsye të fortë që ju me u nënshtru, jo veç për shkak të këtij zemërimi, po edhe për shkak të ndërgjegjes juej. 6 Për qata edhe paguni tatime. Sepse ata janë shërbëtorë publikë të Zotit, që vazhdimisht shërbejnë pikërisht për këtë qëllim. 7 Jepni secilit atë që i takon: atij që kërkon tatim, tatimin; atij që kërkon tribut, tributin; atij që kërkon respekt, respektin; atij që kërkon nder, nderin.
8 Mos i keni borxh kërkujt kurgjo, përveç me dashtë njani-tjetrin. Sepse kush e don tjetrin, e ka përmbushë Ligjin. 9 Sepse urdhnimet „Mos bo kurorëshkelje, mos mbyt, mos vjedh, mos lakmo“ edhe krejt urdhnimet tjera që ekzistojnë, përmblidhen në këto fjalë: „Duaje të afërmin tand si veten.“ 10 Dashnia nuk i bon keq të afërmit. Prandaj dashnia asht përmbushja e Ligjit.
11 Bane këtë edhe sepse po e kuptoni çfarë kohe e veçantë asht tash, që ora veç ka ardhë për ju me u zgju pi gjumi. Sepse tash shpëtimi jonë asht ma afër se atëherë kur u bamë besimtarë. 12 Nata ka shku përpara, dita asht afër. Prandaj le t’i hjekim veprat e territ edhe t’i veshim armët e dritës. 13 Le të jetojmë me nder, si në dritë të ditës, pa ahengje të shfrenuara e dehje, pa marrëdhënie seksuale imorale e sjellje të paturpshme, pa grindje e xhelozi. 14 Përkundrazi, veshuni me cilësitë e Zotnisë Jezu Krisht, edhe mos bani plane përpara për dëshirat gjynahqare.