Romakëve 15
1 Na, të fortit, kemi detyrim me i bartë dobësitë e atyne që nuk janë të fortë, e jo veç me bo qka na pëlqen neve. 2 Secili le ta bojë atë që asht e mirë për të afërmin e vet, për me e ndërtu. 3 Sepse as Krishti nuk bani veç qka i pëlqente atij. Përkundrazi, në Shkrime thuhet: „Fyerjet e atyne që të fyejnë ty, më kanë ra mu.“ 4 Krejt qka asht shkru ma herët, asht shkru për mësimin tonë, që përmes qëndrueshmërisë sonë edhe përmes ngushëllimit pi Shkrimet me pasë shpresë. 5 Zoti që jep qëndrueshmëri edhe ngushëllim, ju ndihmoftë me pasë mes veti të njejtin qëndrim të mbrendshëm si Krishti Jezus, 6 që të bashkum me nji za ta lavdëroni Zotin edhe Atin e Zotnisë tonë Jezu Krisht.
7 Prandaj pranojeni njani-tjetrin, qysh ju ka pranu edhe Krishti, që Zoti me u lavdëru. 8 Sepse po ju thom që Krishti u bo shërbëtor i të rrethpremëve si dëshmi që Zoti asht i vërtetë, për me i vërtetu kështu premtimet që Zoti jau dha të parëve të tyne, 9 edhe që kombet tjera ta lavdërojnë Zotin për dhimtën e tij. Sepse në Shkrime thuhet: „Prandaj kam me të pranu hapur mes kombeve edhe kam me këndu kangë për nder të emnit tand.“ 10 Edhe thuhet: „Gëzohuni, ju kombe, bashkë me popullin e tij.“ 11 Ma tutje thuhet: „Lavdërojeni Jehovajn, krejt ju kombe, edhe krejt popujt le ta lavdërojnë.“ 12 Edhe Isaia thotë prapë: „Ka me qenë rrënja e Isait, aj që çohet për me sundu mbi kombe. Te aj kombet kanë me e vu shpresën.“ 13 Zoti që jep shpresë, ju mbushtë me çdo gëzim edhe paqe, ngaqë po besoni në të, që përmes fuqisë së frymës së shenjtë të keni shpresë me bollëk.
14 Sa për ju, vllaznit e mi, unë vetë jom i bindun që edhe ju jeni plot mirësi, që keni krejt njohurinë edhe që jeni në gjendje me e këshillu fort njani-tjetrin. 15 Megjithatë, për disa pika ju kam shkru pak ma hapur, që me jau përkujtu edhe nji herë, për shkak të mirësisë së pameritume që Zoti ma ka tregu, 16 që me qenë shërbëtor publik i Krishtit Jezus për kombet tjera. Marr pjesë në punën e shenjtë të shpalljes së lajmit të mirë të Zotit, që këto kombe me qenë nji kurban i pranueshëm, i shenjtëruem përmes frymës së shenjtë.
17 Pra, kam arsye me u gëzu në Krishtin Jezus për senet që kanë të bajnë me Zotin. 18 Sepse nuk kam me guxu me folë për kurgjo tjetër, përveç për atë që Krishti ka bo përmes meje, që kombet tjera me qenë të binduna. Aj ka vepru përmes fjalëve edhe veprave të mia, 19 përmes fuqisë së shenjave e mrekullive edhe përmes fuqisë së frymës së Zotit, kështu që pi Jerusalemi e përreth deri në Iliri, kam mujtë me e prediku mirë lajmin e mirë për Krishtin. 20 Kështu e vuna si qëllim mos me e shpallë lajmin e mirë aty ku emni i Krishtit veç ishte bo i njohun, që mos me ndërtu mbi themelin e dikujt tjetër. 21 Sepse në Shkrime thuhet: „Ata të cilëve nuk ju asht kallxu kurgjo për të, kanë me pa, edhe ata që nuk kanë ni, kanë me kuptu.“
22 Për këtë arsye shpesh jom pengu me ardhë te ju. 23 Po tash nuk kam ma në këto vende territor të paprekun, edhe prej shumë vitesh kam mall me ardhë te ju. 24 Për qata shpresoj që, në udhëtimin tem për në Spanjë, kam me ju pa, edhe që keni me më përcjellë nji copë udhë deri atje, pasi së pari ta kem shiju për nji kohë shoqninë tuej. 25 Po tash jam gati me udhëtu për në Jerusalem, që me ju shërby të shenjtëve. 26 Sepse vllaznit në Maqedoni edhe Akai patën dëshirë me nda diçka me të vorfnit mes të shenjtëve në Jerusalem edhe me ju dhanë nji ndihmë. 27 Po, patën dëshirë me e bo këtë, edhe përnime jau kishin borxh. Sepse nëse kombet tjera kanë pasë pjesë në senet e tyne frymore, atëherë edhe ato e kanë borxh me ju ndihmu me sene materiale. 28 Kur ta kryj këtë edhe t’ua çoj të sigurt këtë ndihmë, kam me u nisë për në Spanjë edhe kam me kalu te ju. 29 Edhe e di: kur të vij, kam me ardhë me bekim të plotë pi Krishti.
30 Tash po ju lutem fort, vllazën, përmes Zotnisë tonë Jezu Krisht edhe përmes dashnisë së frymës, që të angazhoheni bashkë me mu në lutje te Zoti për mu, 31 që me u shpëtu pi jobesimtarët në Jude edhe që shërbimi jem për Jerusalemin me u pranu mirë te të shenjtit. 32 Atëherë, në dashtë Zoti, mundem me ardhë te ju me gëzim edhe bashkë me ju me marrë fuqi të re. 33 Zoti që jep paqe, qoftë me ju krejt. Amin.