Romakëve 16
1 Po jau prezantoj motrën tonë Feba, shërbëtore e kongregacionit në Kenkrea. 2 Pranojeni në Zotninë qysh u ka hije të shenjtëve, edhe jepjani çdo ndihmë që i duhet, sepse edhe ajo vetë ju ka dalë në ndihmë shumë vetave, edhe mu.
3 Përshëndetni pi meje Priskën edhe Akuilën, bashkëpunëtorët e mi në Krishtin Jezus, 4 që e kanë rreziku jetën e vet për mu, edhe të cilëve ju falënderohem jo veç unë, po edhe krejt kongregacionet e kombeve tjera. 5 Përshëndeteni edhe kongregacionin në shpinë e tyne. Përshëndeteni të dashtunin tem Epenet, që si njoni pi fryteve të para në provincën e Azisë u bo nxans i Krishtit. 6 Përshëndeteni Marinë, që ka punu shumë për ju. 7 Përshëndetni Andronikun edhe Junian, të afërmit e mi edhe bashkë të burgosunit me mu, burra që janë të respektuem mes apostujve edhe që janë të lidhun me Krishtin ma gjatë se unë.
8 Çojani të fala Ampliatit, vllaut tem të dashtun në Zotninë. 9 Përshëndeteni Urbanin, bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, edhe të dashtunin tem Stakis. 10 Përshëndeteni Apelin, që asht dëshmu i sprovum në Krishtin. Përshëndeteni shpinë e Aristobulit. 11 Përshëndeteni të afërmin tem Herodion. Përshëndetni ata pi shpija e Narcisit që janë në Zotninë. 12 Përshëndetni Trifenën edhe Trifosën, gra që punojnë shumë në Zotninë. Përshëndeteni të dashtunën tonë Persis, sepse ajo ka punu shumë në Zotninë. 13 Përshëndeteni Rufin, të zgjedhunin në Zotninë, edhe nanën e tij, që asht edhe nana jeme. 14 Përshëndetni Asinkritin, Flegonin, Hermin, Patroban, Hermasin edhe vllaznit që janë me ta. 15 Përshëndetni Filologun edhe Julian, Nereun edhe motrën e tij, si edhe Olimpan edhe krejt të shenjtit që janë me ta. 16 Përshëndeteni njani-tjetrin me puthje të shenjtë. Krejt kongregacionet e Krishtit ju çojnë të fala.
17 Tash po ju lutem fort, vllazën, me i mbajtë sytë hapun ndaj atyne që shkaktojnë ndarje edhe i qesin tjerët në rrezik me u rrëzu, në kundërshtim me mësimin që e keni mësu. Largohuni pi tyne. 18 Sepse njerz të tillë janë robër, po jo të Zotnisë tonë Krisht, por të dëshirave të veta, edhe me fjalë të buta e lajka i mashtrojnë zemrat e atyne që s’e marrin vesh. 19 Bindja juej u bo e njohun te krejt, edhe për qata po gëzohem për ju. Po du që ju me qenë të mençur për atë që asht e mirë, e të pafajshëm për atë që asht e keqe. 20 Zoti që jep paqe, së shpejti ka me e shtypë Satanin nën kambët tueja. Mirësia e pameritume e Zotnisë tonë Jezus qoftë me ju.
21 Ju çon të fala bashkëpunëtori jem Timoteu, si edhe të afërmit e mi Luci, Jasoni edhe Sosipatri.
22 Unë, Terti, që e kam shkru këtë letër, ju çoj të fala në Zotninë.
23 Gaji, mikpritësi jem edhe mikpritësi i krejt kongregacionit, ju çon të fala. Ju çojnë të fala Erasti, përgjegjësi i thesarit të qytetit, si edhe vllau i tij Quarti. 24 ––
25 Atij që mundet me ju forcu simas lajmit të mirë që e shpalli unë edhe predikimit për Jezu Krishtin, simas zbulimit të sekretit të shenjtë që ka qenë i mshefun për kohë shumë të gjatë, 26 po që tash asht zbulu edhe përmes Shkrimeve profetike, simas urdhrit të Zotit të amshuem, asht bo i njohun mes krejt kombeve tjera për me nxitë bindjen që vjen pi besimi, 27 Zotit, të vetmit të mençur, i takon lavdia përmes Jezu Krishtit përgjithmonë. Amin.