Romakëve 2

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Prandaj ti, o njeri, kushdo që je, s’ke arsyetim kur e gjykon tjetrin. Sepse kur e gjykon tjetrin, po e dënon veten, sepse ti vetë po i bon ato sene që i dënon. 2 E dimë që gjykimi i Zotit asht në harmoni me të vërtetën edhe asht kundër atyne që bojnë sene të tilla.

3 Po ti, o njeri, a po mendon që ke me i ikë gjykimit të Zotit, kur i gjykon ata që bojnë sene të tilla, e ti vetë po i bon? 4 Apo po e përbuz mirësinë e tij të madhe, durimin edhe pritjen e gjatë, sepse nuk po e kupton që Zoti me mirësinë e tij don me të çu në pendim? 5 Po me kryeneçësinë tande edhe me zemrën tande që s’pendohet, po mbledh zemërim për veten për ditën e zemërimit edhe të zbulimit të gjykimit të drejtë të Zotit. 6 Edhe aj ka me ja dhanë secilit atë që e meriton për veprat e veta: 7 jetë t’amshume atyne që me qëndrueshmëri bojnë mirë, tu kërku lavdi, nder edhe paprishshmëni. 8 Po ata që janë grindavecë edhe nuk i binden të vërtetës, por i binden padrejtësisë, kanë me i kapë zemërimi edhe hidhërimi. 9 Vuajtje edhe vështirësi kanë me ardhë mbi çdo njeri që bon keq, së pari mbi Judenë, pastaj edhe mbi Grekun; 10 kurse lavdi, nder edhe paqe ka me pasë për secilin që bon mirë, së pari për Judenë, pastaj edhe për Grekun. 11 Sepse te Zoti s’ka mbajtje ane.

12 Krejt ata që kanë bo gjynah pa Ligj, kanë me u shkatërru edhe pa Ligj. Po krejt ata që kanë bo gjynah nën Ligj, kanë me u gjyku simas Ligjit. 13 Sepse para Zotit nuk asht i drejtë aj që veç e nin Ligjin, po aj që vepron simas Ligjit ka me u shpallë i drejtë. 14 Sepse kur njerzt pi kombeve tjera, që s’kanë Ligj, pi natyra bojnë atë që thotë Ligji, atëherë këta njerz, edhe pse s’kanë Ligj, janë Ligj për veten e vet. 15 Ata tregojnë që përmbajtja e Ligjit ju asht shkru në zemër, ndërsa edhe ndërgjegjja e tyne dëshmon, edhe mendimet e tyne i akuzojnë a edhe i arsyetojnë. 16 Kjo ka me ndodhë në ditën kur Zoti, përmes Krishtit Jezus, simas lajmit të mirë që unë e shpalli, ka me gjyku senet e fshehta të njerzve.

17 Nëse ti tash quhesh Jude, mbështetesh në Ligj edhe krenohesh me Zotin, 18 edhe e njeh vullnetin e tij dhe i miraton senet që janë të shkëlqyera, sepse je msu pi Ligji, 19 edhe je i bindun që je udhëheqës i të verbërve, dritë për ata që janë në terr, 20 qortues i atyne që s’kanë mend, mësues i fmive të vegjël, që e ke kornizën e njohurisë edhe të së vërtetës që gjindet në Ligj, 21 ti që i mëson tjerët, a nuk po e mëson veten? Ti që predikon: „Mos vjedh“, a po vjedh? 22 Ti që thua: „Mos bo kurorëshkelje“, a po bon kurorëshkelje? Ti që i urren idhujt, a po i plaçkit tempujt? 23 Ti që krenohesh me Ligjin, a po e çnderon Zotin tu e shkelë Ligjin? 24 Sepse në Shkrime shkruhet: „Për shkak juejin po shahet emni i Zotit mes kombeve tjera.“

25 Rrethprerja vlen veç nëse e mban Ligjin. Po nëse e shkel Ligjin, rrethprerja jote asht bo si parrethprerje. 26 Pra, nëse nji i parrethpremë i mban kërkesat e drejta të Ligjit, a nuk ka me ju llogaritë parrethprerja si rrethprerje? 27 Edhe aj që asht i parrethpremë në trup, tu e zbatu Ligjin, ka me dhanë gjykim kundër teje, sepse ti, edhe pse e ke Ligjin e shkruem edhe je i rrethpremë, po e shkel Ligjin. 28 Sepse Jude s’asht aj që asht i tillë veç pi jashtë, as rrethprerja s’asht diçka e jashtme, diçka në trup. 29 Përkundrazi, Jude asht aj që asht i tillë përbrenda, edhe rrethprerja e tij asht rrethprerje e zemrës përmes frymës, jo përmes nji Ligji të shkruem. Nji njeri i tillë merr lavdërim pi Zoti, jo pi njerzt.