Romakëve 3
1 Atëherë, qka përparësie kanë Judenjtë, ose qka dobie ka rrethprerja? 2 Shumë, në çdo mënyrë. Para së gjithash, atyne ju janë besu fjalët e shenjta të Zotit. 3 E qka me thanë për faktin që disave ju ka mungu besimi? A ka me e bo mosbesimi i tyne besnikërinë e Zotit të pavlefshme? 4 Kurrsesi! Përkundrazi, Zoti ka me dalë i vërtetë, edhe nëse çdo njeri del rrenacak. Sepse në Shkrime thuhet: „Që përmes fjalëve tua të shihet që je i drejtë, edhe me fitu kur të gjykohesh.“ 5 Po nëse padrejtësia jonë e nxjerr ma shumë në pah drejtësinë e Zotit, qka me thanë? A mos asht Zoti i padrejtë kur e shpreh zemërimin e vet? Po flas si njeri. 6 Kurrsesi! Përndryshe, qysh ka me e gjyku Zoti botën?
7 Po nëse përmes rrenës teme e vërteta e Zotit del edhe ma qartë për lavdinë e tij, pse po gjykohem unë si gjynahqar? 8 Pse mos me thanë, qysh disa njerz na shpifin rrejshëm se po thojmë: „Le të bojmë keq, që me ardhë e mira“? Këta njerz gjykohen me të drejtë.
9 Qka tash? A jemi na në pozitë ma të mirë? Aspak! Sepse veç e kemi ngritë akuzën që si Judenjtë, ashtu edhe Grekët, janë krejt nën gjynah. 10 Sepse në Shkrime thuhet: „S’ka njeri të drejtë, as edhe nji. 11 S’ka asnji që ka kuptim, s’ka asnji që e kërkon Zotin. 12 Krejt njerzt janë largu, krejt janë bo të pavlefshëm. S’ka asnji që tregon mirësi, as edhe nji i vetëm.“ 13 „Fyti i tyne asht varr i hapun, me gjuhën e tyne kanë mashtru.“ „Helm nepërke ka mbrapa buzëve të tyne.“ 14 „Goja e tyne asht plot mallkime edhe hidhni.“ 15 „Ata vrapojnë shpejt për me derdhë gjak.“ 16 „Shkatërrim edhe mjerim ka në udhët e tyne, 17 edhe udhën e paqes nuk e njohin.“ 18 „Ata nuk kanë frikë pi Zotit.“
19 Tash e dimë që krejt qka thotë Ligji, ju drejtohet atyne që janë nën Ligj, që çdo gojë me u mbyllë edhe krejt bota me dalë fajtore para Zotit. 20 Prandaj asnji njeri nuk ka me u shpallë i drejtë para tij përmes mbajtjes së Ligjit, sepse përmes Ligjit vjen njohuria e saktë për gjynahin.
21 Po tash drejtësia e Zotit asht zbulu pa Ligj, qysh dëshmojnë edhe Ligji edhe Pejgamberët, 22 po, drejtësia e Zotit përmes besimit në Jezu Krishtin, për krejt ata që kanë besim. Sepse s’ka dallim. 23 Në fund të fundit, krejt kanë bo gjynah edhe nuk e arrijnë lavdinë e Zotit. 24 Po si dhuratë shpallen të drejtë përmes mirësisë së tij të pameritume, falë çlirimit përmes shpërblesës që e pagoi Krishti Jezus. 25 Zoti e dha atë si kurban për shlyerjen e gjynaheve përmes besimit në gjakun e tij. E bani këtë për me tregu drejtësinë e vet, sepse me durimin e tij Zoti i fali gjynahet që ishin bo në të kaluemen. 26 E bani këtë për me tregu drejtësinë e vet në kohën e tashme, që aj me qenë i drejtë kur e shpall të drejtë njeriun që beson në Jezusin.
27 Atëherë, a ka arsye për me u mburrë? Jo, s’ka vend. Cili ligj e përjashton këtë? Ligji i veprave? Jo, por ligji i besimit. 28 Sepse mendojmë që njeriu shpallet i drejtë për shkak të besimit, e jo përmes mbajtjes së Ligjit. 29 Apo aj asht veç Zoti i Judenjve? A nuk asht edhe Zoti i njerzve pi kombeve tjera? Po, edhe i njerzve pi kombeve tjera. 30 Masi Zoti asht nji, aj ka me i shpallë të drejtë të rrethpremët si rezultat i besimit, edhe të parrethpremët përmes besimit të tyne. 31 A po e heqim pra Ligjin përmes besimit tonë? Kurrsesi! Përkundrazi, na e mbajmë Ligjin nalt.