Romakëve 4

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Masi puna asht kështu, qka me thanë për Abrahamin, paraardhësin tonë simas trupit? Qka arriti aj? 2 Nëse Abrahami ish shpallë i drejtë për shkak të veprave të veta, kishte pasë arsye me u mburrë, po jo para Zotit. 3 Sepse qka thuhet në Shkrime? „Abrahami i besoi Jehovajt, edhe kjo ju llogarit si drejtësi.“ 4 Njeriut që bon vepra, paga nuk i llogaritet si mirësi e pameritume, po si diçka që i takon. 5 Kurse atij që nuk mbështetet në vepra, po beson në atë që e shpall të drejtë njeriun pa respekt për Zotin, besimi i tij i llogaritet si drejtësi. 6 Edhe Davidi flet për lumtuninë e njeriut të cilit Zoti i llogarit drejtësi pa vepra: 7 „Të lumtun janë ata që ju janë falë veprat e paligjshme edhe ju janë mbulu gjynahet. 8 I lumtun asht njeriu të cilit Jehovaj kurrsesi s’ka me ja llogaritë gjynahin.“

9 A ju jepet kjo lumtuni veç të rrethpremëve, apo edhe të parrethpremëve? Sepse po thojmë: „Besimi i Abrahamit ju llogarit si drejtësi.“ 10 Po në çfarë gjendje ju llogarit si drejtësi? Kur Abrahami ishte i rrethpremë apo kur ishte i parrethpremë? Nuk ishte ende i rrethpremë, po i parrethpremë. 11 Edhe aj mori nji shenjë, domethanë rrethprerjen, si vulë të drejtësisë për shkak të besimit që e kishte kur ishte hala i parrethpremë. Kështu aj duhej me u bo baba i krejt atyne që kanë besim derisa janë të parrethpremë, që atyne me ju llogaritë drejtësia. 12 Edhe duhej me u bo baba i pasardhësve të rrethpremë, jo veç i atyne që i përmbahen rrethprerjes, po edhe i atyne që ecin në gjurmët e besimit që e kishte baba jonë Abrahami kur ishte i parrethpremë.

13 Sepse Abrahami a pasardhësit e tij nuk e morën premtimin që aj me qenë trashëgimtar i nji bote përmes mbajtjes së Ligjit, po përmes drejtësisë që vjen pi besimi. 14 Sepse nëse trashëgimtarë janë ata që i përmbahen Ligjit, atëherë besimi bohet i kotë edhe premtimi hiqet. 15 Në të vërtetë, Ligji e sjell zemërimin e Zotit, po aty ku s’ka Ligj, s’ka as shkelje.

16 Për qata kjo ndodh përmes besimit, që me u pa mirësia e pameritume. Kështu premtimi asht i sigurt për krejt pasardhësit e tij, jo veç për ata që i përmbahen Ligjit, po edhe për ata që i përmbahen besimit të Abrahamit, babës së neve krejtve. 17 Qysh shkruhet në Shkrime: „Të kam bo baba të shumë kombeve.“ Kjo ndodhi para Zotit, të cilit aj i besoi, para Atij që i ngjall të dekunit edhe i thirr senet që s’janë sikur me qenë. 18 Kundër çdo shprese, po i mbështetun në shpresë, Abrahami pati besim që ka me u bo baba i shumë kombeve, sepse ju tha: „Kështu kanë me qenë pasardhësit tu.“ 19 Edhe pse nuk u dobësu në besim, aj e kishte parasysh që trupi i tij ishte gati si i vdekun, se ishte rreth 100 vjeç, edhe që barku i Sarës ishte si i vdekun. 20 Po për shkak të premtimit që Zoti e kishte dhanë, aj nuk u lëkund në mosbesim, por u forcu përmes besimit të vet edhe i dha lavdi Zotit. 21 Aj ishte krejtësisht i bindun që Zoti mundet edhe me e mbajtë premtimin e vet. 22 Prandaj „ju llogarit si drejtësi“.

23 Mirëpo fjalët që „ju llogarit“ nuk janë shkru veç për të, 24 po edhe për neve, të cilëve ka me na u llogaritë, sepse besojmë në Zotin që e ringjalli pi të dekuneve Zotninë tonë Jezus. 25 Aj u dorëzu për gabimet tona edhe u ringjall që na me u shpallë të drejtë.