Romakëve 5

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Pra, masi jemi shpallë të drejtë si rezultat i besimit, le ta gëzojmë paqen me Zotin përmes Zotnisë tonë Jezu Krisht. 2 Përmes tij, për shkak të besimit, kemi marrë edhe qasje te kjo mirësi e pameritume ku tash po qëndrojmë. Edhe le të gëzohemi për shkak të shpresës për lavdinë e Zotit. 3 Jo veç kaq, po le të gëzohemi edhe derisa kalojmë vështirësi, sepse e dimë që përmes vështirësive mësohet qëndrueshmëria, 4 qëndrueshmëria çon në nji gjendje të sprovueme, e gjendja e sprovueme prapë çon në shpresë, 5 edhe shpresa nuk çon në zhgënjim, sepse dashnia e Zotit asht derdhë në zemrat tona përmes frymës së shenjtë që na asht dhanë.

6 Sepse Krishti, derisa na ishim hala të dobët, vdiq në kohën e caktume për njerz pa respekt për Zotin. 7 Vështirë që dikush me vdekë për nji njeri të drejtë. Ndoshta për nji njeri të mirë dikush kish qenë i gatshëm me vdekë. 8 Po Zoti e tregon dashninë e vet ndaj neve me këtë: Krishti vdiq për neve derisa na ishim hala gjynahqarë. 9 Prandaj, masi tash jemi shpallë të drejtë përmes gjakut të tij, edhe ma shumë sigurt kemi me u shpëtu përmes tij pi zemërimi i Zotit. 10 Sepse nëse u pajtum me Zotin përmes vdekjes së Birit të tij kur ishim armiq, tash që jemi pajtu, aq ma shumë kemi me u shpëtu përmes jetës së tij. 11 Jo veç kaq, po edhe po gëzohemi për marrëdhënien tonë me Zotin përmes Zotnisë tonë Jezu Krisht, përmes të cilit tash e kemi marrë pajtimin.

12 Prandaj: Qysh përmes nji njeriu të vetëm gjynahi ka ardhë në botë, edhe përmes gjynahit vdekja, e kështu vdekja u përhap te krejt njerzt, sepse krejt kishin bo gjynah… 13 Sepse edhe para Ligjit kishte gjynah në botë, po gjynahi nuk i llogaritet askujt kur s’ka Ligj. 14 Megjithatë, vdekja sundoi si mbret pi Adami deri te Moisiu, bile edhe mbi ata që nuk kishin bo gjynah në mënyrën qysh e bani Adami me shkeljen e tij, aj që ka ngjashmëni me atë që duhej me ardhë.

15 Po dhurata nuk asht si gabimi. Sepse nëse për shkak të gabimit të nji njeriu të vetëm shumë veta vdiqën, sa ma shumë ka rrjedhë me bollëk ndaj shumë vetave mirësia e pameritume e Zotit edhe dhurata e tij përmes mirësisë së pameritume të nji njeriu, Jezu Krishtit. 16 Edhe dhurata nuk e ka të njejtin rezultat si gjynahi i atij nji njeriu. Sepse pas nji gabimi të vetëm erdh dënimi, po dhurata pas shumë gabimeve solli shpalljen e shumë vetave si të drejtë. 17 Sepse nëse për shkak të gabimit të nji njeriu, vdekja sundoi si mbret përmes atij nji njeriu, atëherë aq ma shumë ata që marrin me bollëk mirësinë e pameritume edhe dhuratën e drejtësisë, kanë me jetu edhe kanë me sundu si mbretën përmes njonit, Jezu Krishtit.

18 Pra, qysh përmes nji gabimi të vetëm erdh dënimi për njerz të çdo lloji, qashtu edhe përmes nji akti të vetëm drejtësimi, njerz të çdo lloji shpallen të drejtë dhe marrin jetë. 19 Sepse qysh përmes mosbindjes së nji njeriu shumë veta u banë gjynahqarë, qashtu edhe përmes bindjes së njonit shumë veta kanë me u bo të drejtë. 20 Ligji erdh në ekzistencë që gabimi me u shtu. Po aty ku gjynahi ishte me bollëk, mirësia e pameritume ishte edhe ma shumë me bollëk. 21 Për qka? Që qysh gjynahi sundoi si mbret me vdekjen, edhe mirësia e pameritume me sundu si mbret përmes drejtësisë, e përmes Jezu Krishtit, Zotnisë tonë, me çu në jetë t’amshume.