Romakëve 9
1 Po e thom të vërtetën në Krishtin, nuk po rrej, qysh dëshmon bashkë me mu ndërgjegjja jeme në frymë të shenjtë: 2 Kam mërzi të madhe edhe dhimbje pa pushim në zemrën teme. 3 Sepse kisha dashtë që unë vetë me qenë i mallkuem e i ndamë pi Krishti për vllaznit e mi, të afërmit e mi simas trupit, 4 që janë Izraelitë. Ata u pranuan si bij, morën lavdinë, besëlidhjet, dhënien e Ligjit, shërbimin e shenjtë edhe premtimet. 5 Të tyne janë të parët, edhe pi ta vjen Krishti si njeri. Zoti, që asht mbi krejt, qoftë i lavdëruem përgjithmonë. Amin.
6 Megjithatë, kjo nuk domethanë që fjala e Zotit ka dështu. Sepse jo krejt ata që rrjedhin pi Izraeli janë përnime „Izrael“. 7 As nuk janë krejt fmi veç pse janë pasardhës të Abrahamit, po thuhet: „Përmes Isakut kanë me ardhë ata që kanë me u qujtë pasardhësit tu.“ 8 Pra, fmitë simas trupit nuk janë përnime fmitë e Zotit, po si pasardhës llogariten ata që janë fmi për shkak të premtimit. 9 Sepse premtimi thoshte: „Në këtë kohë kam me ardhë, edhe Sara ka me pasë nji djalë.“ 10 Po nuk ishte veç atëherë kështu, por edhe kur Rebeka mbeti shtatzanë me binjakë pi të parit tonë Isak. 11 Para se ata me lindë edhe para se me bo mirë a keq, që qëllimi i Zotit për zgjedhjen mos me u varë pi veprat, po pi Ai që thirr, 12 asaj ju tha: „Ma i madhi ka me qenë rob i ma të voglit.“ 13 Sepse në Shkrime thuhet: „Jakupin e deshta, po Esaun e urrejta.“
14 Qka me thanë pra? A ka padrejtësi te Zoti? Kurrsesi! 15 Sepse aj i thotë Moisiut: „Kam me i tregu dhimt atij që du me i tregu dhimt, edhe kam me i tregu mëshirë atij që du me i tregu mëshirë.“ 16 Pra, kjo nuk varet pi dëshira a përpjekja e njeriut, po pi Zoti, që tregon dhimt. 17 Sepse nji Shkrim i thotë Faraonit: „Për këtë arsye të lashë me mbetë: që me tregu fuqinë teme te ti, edhe që emni jem me u bo i njohun në krejt tokën.“ 18 Pra, aj tregon dhimt për kon don, po edhe e len me u bo kryeneç kon don.
19 Prandaj ti ke me më thanë: „Pse pra aj hala gjen faj? Kush mundet me ju kundërvu vullnetit të tij?“ 20 Po kush je ti, o njeri, që po i kthen fjalë Zotit? A i thotë sendi i formuem atij që e ka formu: „Pse më ke bo kështu?“ 21 A nuk ka poçari pushtet mbi të njejtën masë balte, që me bo nji enë për përdorim të ndershëm, e nji tjetër për përdorim të pandershëm? 22 Po qka nëse Zoti, edhe pse deshti me tregu zemërimin e vet edhe me e shprehë fuqinë e vet, i duroi me shumë durim enët e zemërimit, që janë bo të përshtatshme për shkatërrim? 23 Edhe qka nëse e bani këtë për me shprehë lavdinë e tij të madhe te enët e dhimtës, që i ka përgatitë përpara për lavdi, 24 domethanë te ne, që na ka thirrë jo veç pi Judenjtë, po edhe pi kombet tjera? 25 Qysh thotë edhe te Hosea: „Ata që nuk janë populli jem, kam me i qujtë ‘populli jem’, edhe atë që nuk ishte e dashtun, ‘e dashtun’. 26 Edhe në vendin ku ju tha: ‘Ju nuk jeni populli jem’, aty kanë me u qujtë ‘bij të Zotit të gjallë’.“
27 Edhe Isaia thirr për Izraelin: „Edhe nëse numri i bijve të Izraelit asht si rana e detit, veç mbetja ka me u shpëtu. 28 Sepse Jehovaj ka me bo llogari në tokë, ka me e kry edhe ka me e shkurtu.“ 29 Isaia tha edhe përpara: „Po të mos na kishte lanë pasardhës Jehovaj, Zotnia i ushtrive, kishim me u bo tamam si Sodoma, kishim me i ngja Gomorrës.“
30 Qka me thanë pra? Njerzt pi kombeve tjera, që nuk kërkojshin drejtësi, prapë arritën drejtësi, drejtësinë që vjen pi besimi. 31 Kurse Izraeli, që mundohej me e ndjekë nji ligj drejtësie, nuk mujti me e përmbushë atë ligj. 32 Për qfarë arsye? Sepse nuk deshtën me e përmbushë përmes besimit, po përmes veprave. Ata u penguan në „gurin e pengesës“. 33 Sepse në Shkrime thuhet: „Kqyrni! Po vnoj në Sion nji gur pengese edhe nji shkamb që i bon njerzt me u rrëzu, po kush e mbështet besimin në të, nuk ka me u zhgënjy.“