Sofonia 2
1 Mblidhuni, po, mblidhuni, o
popull që s'ka marre.
2 Para se me hy n'fuqi urdhni, para se dita
me kalu si byku që e merr era, para se
me ju goditë inati i madh i Jehovës, para
se me ardh mbi ju dita e inatit t'Jehovës:
3 Kërkojeni Jehovën, krejt ju njerëz t'butë t'tokës,
që i zbatoni urdhnat e tij t'drejta.
Kërkoni drejtësi, kërkoni butësi. Ndoshta keni
me konë t'fshehun ditën e inatit t'Jehovës.
4 Se Gaza ka me mbet nji qytet i
braktisun, e Ashkaloni ka me mbet shkretë. Banorët e
Ashdodit kanë me i përzënë ditën për diell,
e Ekroni ka me u shkul pi rrënjëve.
5 «Mjerë ata që jetojnë buzë detit, populli i
kerethitëve! Fjalët e Jehovës jonë kundër jush.
O Kanaan, vendi i filistinëve, kam me t'shkatërru,
sa që s'ka me mbet asnji banor.
6 Bregdeti ka me u bo vend për kullota, me
bunarë për barinjtë edhe vathë pi guri për delet.
7 Ajo tokë ka me ju taku atyne që kanë
mbet pi shpija e Judës. Atje kanë me kullotë.
Mbramjeve kanë me u shtri n'shpitë e Ashkalonit. Se Jehova,
Zoti i tyne, ka me u kujdes për ta,
edhe ka me i kthy ata që jonë n'robni.»
8 «I kam ni fyerjet e Moabit edhe sharjet e amonitëve, që janë tallë
me popullin tem edhe me mburrje e kanë kërcënu tokën e tij.
9 Prandaj, pasha jetën teme», thotë Jehova, Zotnia i ushtrive, Zoti
i Izraelit, «Moabi ka me u bo si Sodoma, e amonitët
si Gomorra, nji vend plot hithra, nji gropë me krypë,
nji shkretinë që ka me mbet përgjithmonë. Ata që kanë
mbet pi populli jem kanë me i plaçkitë, e ata që
kanë shpëtu pi populli jem kanë me ua marrë pronat.
10 Kjo ka me ju ardh pi mendjemadhësisë së tyne, se janë tallë
me popullin e Jehovës, Zotnisë së ushtrive, edhe janë mburrë para tij.
11 Jehova ka me vepru kundër tyne n'nji mënyrë që ka
me ju shti frikën, se krejt zotat e tokës ka
me i bo kurgjo, e krejt ishujt e popujve
kanë me u përkulë para tij, secili pi vendit t'vet.
12 Edhe ju etiopas, shpata jeme ka me ju rrëzu përdhe.
13 Aj ka me e zgjatë dorën kah veriu edhe ka me e
shkatërru Asirinë, e Niniven ka me e lanë shkretë, t'thatë si shkretëtira.
14 Atje kanë me pushu kope edhe gjithfarë kafshësh t'egra.
Pelikanët edhe derrat me gjemba kanë me e kalu
natën mes kryeve t'shtyllave. Nji za ka me këndu
te dritarja. Te pragu ka me pas shkretim, se
aj ka me e zbulu veshjen pi drunit t'kedrit.
15 Ky asht qyteti krenar që rrike i sigurt, e
që i thojke vetes: ‘Kërkush s'mundet me u krahasu
me mu.’ Sa pamje e tmerrshme u bo, nji vend
ku rrinë kafshët e egra! Kushdo që kalon aty
ka me fishkëllu edhe ka me e tundë grushtin.»