Titit 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Pi Pavli, rob i Zotit edhe apostull i Jezu Krishtit, në pajtim me besimin e të zgjedhunve të Zotit edhe me njohurinë e saktë të së vërtetës. Kjo e vërtetë përputhet me përkushtimin ndaj Zotit 2 edhe mbështetet në shpresën për jetë t’amshume, që Zoti, i cili nuk mundet me rrejtë, e ka premtu shumë kohë ma parë. 3 Po në kohën që e caktoi vetë, aj e bani të njohun mesazhin e vet përmes predikimit që m’u besu simas urdhrit të Zotit, Shpëtimtarit tonë. 4 Titit, fmisë tem të vërtetë simas besimit tonë të përbashkët:
Të uroj mirësi të pameritume edhe paqe pi Zoti, Ati, edhe pi Krishti Jezus, Shpëtimtari jonë.

5 Të lashë në Kretë që me i rregullu senet që nuk janë në rregull, edhe që, simas udhëzimeve që t’i kam dhanë, me caktu pleq qytet për qytet. 6 Nji plak duhet me qenë pa akuzë, burrë i nji gruaje të vetme, me fmi besimtarë, që nuk akuzohen për jetë të shfrenueme a për kryeneçësi. 7 Sepse si kujdestar i punëve të Zotit, mbikëqyrësi duhet me qenë pa akuzë, jo kokëfortë, jo që nxehet shpejt, jo pijanec, jo i dhunshëm, edhe jo lakmues i fitimit të pandershëm. 8 Përkundrazi, duhet me qenë mikpritës, me e dashtë të mirën, me pasë gjykim të shëndoshë, me qenë i drejtë, besnik edhe me vetëkontroll. 9 Kur mëson, duhet me u mbajtë fort te mesazhi i besueshëm, që përmes mësimit të shëndoshë me mujtë edhe me dhanë zemër, edhe me i qortu ata që kundërshtojnë.

10 Sepse ka shumë që nuk nënshtrohen, llafazanë edhe mashtrues, sidomos ata që mbahen te rrethprerja. 11 Këtyne duhet me ju mbyllë goja, sepse pikërisht këta njerz vazhdimisht po ja rrënojnë besimin familjeve të tana, tu mësu sene që s’kanë hije, edhe tu u pasunu në mënyrë të pandershme. 12 Njani pi tyne, vetë pejgamberi i tyne, ka thanë: „Kretasit janë gjithmonë rrenacakë, egërsina të rrezikshme, barkmëdhaj dembelë.“

13 Kjo fjalë asht e vërtetë. Pikërisht për qata duhet me i qortu rreptë, që të jenë të shëndoshë në besim 14 edhe mos me ju kushtu vëmendje përrallave judeje edhe urdhnave të njerzve që kthehen pi e vërteta. 15 Për njerzt e pastër, gjithçka asht e pastër. Po për ata që janë të ndotun edhe pa besim, kurgjo s’asht e pastër, sepse edhe mendja e tyne, edhe ndërgjegjja e tyne janë të ndotuna. 16 Ata shpallin publikisht që e njohin Zotin, po e mohojnë me veprat e tyne, sepse janë të neveritshëm, të pabindun edhe të papërdorshëm për çfarëdo vepre të mirë.