Visioni i Gjonit 10
1 Edhe pashë nji melaqe tjetër të fortë tu zhdrypë pi qielli, të mbështjellun me nji re, edhe mbi kryt e tij ishte nji ylber. Ftyra e tij ishte si dielli, edhe kambët e tij si shtylla zjarri 2 edhe në dorë kishte nji rrotull të vogël libri, të hapun. Kambën e djathtë e vnoi mbi det, kurse të majtën mbi tokë, 3 edhe thirri me za të madh, si kur ulërin nji luan. Kur thirri, shtatë bubullimat e lanë zanin e vet me u ni.
4 Kur shtatë bubullimat folën, unë isha gati me fillu me shkru, po dëgjova nji za pi qielli tu thanë: „Vulose atë që folën shtatë bubullimat. Mos e shkruaj.“ 5 Melaqja që e pashë tu qëndru mbi det edhe mbi tokë, e ngriti dorën e djathtë kah qielli 6 edhe u betua në Atë që jeton përgjithmonë e jetë, që e ka kriju qiellin edhe krejt senet në të, tokën edhe krejt senet mbi të, edhe detin edhe krejt senet në të: „S’ka me pasë ma vonesë. 7 Po në kohën kur melaqja e shtatë ka me qenë gati me i fry trumbetës, sekreti i shenjtë që Zoti ua ka shpallë si lajm të mirë robërve të vet, pejgamberëve, ka me u përmbushë përnime.“
8 Edhe e dëgjova zanin pi qielli prapë tu folë me mu. Aj tha: „Shko edhe merre rrotullën e hapun të librit pi dora e melaqes që qëndron mbi det edhe mbi tokë.“ 9 Shkova te melaqja edhe e luta me ma dhanë rrotullën e vogël të librit. Aj më tha: „Merre edhe haje krejt! Ka me të djegë idhët në bark, po në gojën tande ka me qenë e ambël si mjaltë.“ 10 E mora rrotullën e vogël të librit pi dora e melaqes edhe e hëngra. Në gojën teme ishte e ambël si mjaltë, po kur e hëngra, më dogji idhët në bark. 11 M’u tha: „Duhet me profetizu prapë për popuj, kombe, gjuhë edhe shumë mbretën.“