Visioni i Gjonit 11
1 Edhe m’u dha nji kallam si shkop, me këto fjalë: „Çohu edhe mate shenjtëroren e tempullit të Zotit, altarin edhe ata që adhurojnë në të. 2 Po oborrin jashtë shenjtërores së tempullit, leje anash. Mos e mat, sepse ju asht dhanë kombeve tjera, edhe ata kanë me e shkelë qytetin e shenjtë për 42 muej. 3 Kam me i lanë dy dëshmitarët e mi me profetizu 1260 ditë, të veshun me thes.“ 4 Ata simbolizohen pi dy ullinjtë edhe dy shandanët, edhe qëndrojnë para Zotnisë së tokës.
5 Nëse dikush don me ju bo dam, zjarr del pi goja e tyne edhe i përpin armiqtë e tyne. Nëse dikush don me ju bo dam, aj duhet me u mbytë në këtë mënyrë. 6 Ata kanë pushtet me e mbyllë qiellin, që gjatë ditëve kur profetizojnë mos me ra shi. Edhe kanë pushtet me i kthy ujërat në gjak edhe me e goditë tokën me çdo lloj plage, sa herë që dojnë.
7 Kur ta kryjnë detyrën e tyne si dëshmitarë, shtaza e egër që del pi humnera ka me luftu kundër tyne, ka me i mposhtë edhe ka me i mbytë. 8 Edhe kufomat e tyne kanë me mbetë në rrugën kryesore të qytetit të madh, që në kuptim të figurshëm quhet Sodomë edhe Egjipt, aty ku edhe Zotnia i tyne u ekzekutu në shtyllë. 9 Edhe njerz pi popuj, fise, gjuhë edhe kombe kanë me i kqyrë kufomat e tyne për tri ditë e gjysmë, edhe nuk kanë me leju që kufomat me u vu në varr. 10 Banorët e tokës gëzohen edhe festojnë, edhe kanë me i dërgu dhurata njani-tjetrit, sepse këta dy pejgamberë i munduan banorët e tokës.
11 Mas tri ditëve e gjysmë, frymë jete pi Zoti hyri në ta, edhe ata u çuan në kambë. Atëherë nji frikë e madhe i kaploi krejt ata që i panë. 12 Edhe u dëgjua nji za i madh pi qielli që ju tha: „Hypni këtu nalt!“ Atëherë ata hypën në qiell në re, edhe armiqtë e tyne i panë. 13 Në atë moment ndodhi nji tërmet i madh, edhe nji e dhjeta e qytetit u rrëzua. 7000 persona u mbytën pi tërmeti, edhe të tjerët u frikësuan edhe i dhanë lavdi Zotit të qiellit.
14 Mjerë i dytë ka kalu, edhe mjerë i tretë po vjen shpejt.
15 Melaqja e shtatë i fryu trumbetës, edhe në qiell u dëgjuan zana të mëdhej. Ata thanë: „Mbretërimi mbi botën tash i takon Zotnisë tonë edhe Krishtit të tij, edhe aj ka me sundu si mbret përgjithmonë e jetë.“
16 Edhe 24 pleqtë që rrinin ulë para Zotit në fronet e tyne ranë përmbys edhe e adhuruan Zotin. 17 Ata thanë: „Të falënderojmë, Jehovaj Zot, i Plotfuqishëm, Ai që asht edhe që ishte, sepse e ke marrë fuqinë tande të madhe edhe ke fillu me sundu si mbret. 18 Po kombet u zemëruan, edhe erdh zemërimi yt, edhe koha e caktume për me i gjyku të dekunit, për me i shpërbly robërit tu, pejgamberët, si edhe të shenjtit edhe krejt ata që kanë respekt të thellë për emnin tand, të vegjlit edhe të mëdhejt, edhe për me i shkatërru ata që e shkatërrojnë tokën.“
19 Shenjtërorja e tempullit të Zotit në qiell u hap, edhe aty u pa arka e besëlidhjes së tij. Edhe pati vetëtima, zana, bubullima, nji tërmet edhe breshën të randë.