Visioni i Gjonit 13

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Edhe aj mbeti tu qëndru mbi ranën e detit.

Pashë nji shtazë të egër tu u ngritë pi deti, me dhjetë brina edhe shtatë krye, edhe mbi brinat e saj ishin dhjetë diadema, po mbi kryet e saj ishin emna që e shanin Zotin. 2 Shtaza e egër që e pashë dukej si leopard, po kambët i kishte si të ariut, edhe gojën si gojë luani. Shtaza e mori fuqinë, fronin edhe autoritetin e madh pi dragoi.

3 Pashë që njoni pi kryeve të saj dukej sikur ishte plagosë për vdekje, po plaga e saj vdekjeprurëse u shërua, edhe krejt toka e ndoqi shtazën e egër plot admirim. 4 Edhe e adhuruan dragoin, sepse ja dha pushtetin shtazës së egër, edhe e adhuruan shtazën e egër me këto fjalë: „Kush asht si shtaza e egër, edhe kush mundet me luftu kundër saj?“ 5 Asaj ju dha nji gojë që fliste fjalë të mëdhaja edhe sharje kundër Zotit, edhe ju dha pushtet me vepru për 42 muej. 6 Ajo e hapi gojën për me qitë sharje kundër Zotit, për me e sha emnin e Zotit edhe vendbanimin e tij, po, ata që banojnë në qiell. 7 Ju lejua me luftu kundër të shenjtëve edhe me i mposhtë, edhe mori pushtet mbi çdo fis, popull, gjuhë edhe komb. 8 Edhe krejt banorët e tokës kanë me e adhuru. Qysh pi themelimi i botës, asnji emën i tyne nuk asht shkru në rrotullën e jetës së Qengjit që u ther.

9 Kush ka veshë, le ta ngojë. 10 Kush asht i caktum për robni, ka me shku në robni. Kush ka me mbytë me shpatë, duhet me u mbytë me shpatë. Këtu duhet qëndrueshmëria edhe besimi i të shenjtëve.

11 Pastaj pashë nji shtazë tjetër të egër tu u ngritë pi toka, edhe kishte dy brina si qengj, po filloi me folë si dragua. 12 Ajo e ushtron krejt autoritetin e shtazës së parë të egër para syve të saj. Edhe e shtyn tokën edhe banorët e saj me e adhuru shtazën e parë të egër, të cilës ju shërua plaga vdekjeprurëse. 13 Ajo bon shenja të mëdhaja, bile para syve të njerzve lëshon zjarr pi qielli në tokë.

14 Ajo i mashtron banorët e tokës përmes shenjave që ju lejua me i bo para syve të shtazës së egër, ndërsa ju thotë banorëve të tokës me ja bo nji pamje shtazës së egër, asaj që e kishte marrë plagën pi shpata e prapë u kthye në jetë. 15 Edhe ju lejua me i dhanë frymë pamjes së shtazës së egër, që pamja e shtazës së egër edhe me folë, edhe me bo që të mbyten krejt ata që nuk e adhurojnë pamjen e shtazës së egër.

16 Ajo ju bon presion krejt njerzve, të vegjëlve edhe të mëdhejve, të pasunve edhe të vorfnëve, të lirëve edhe robërve: që me marrë nji shenjë në dorën e djathtë a në ballë, 17 edhe askush mos me mujtë me ble a me shitë, përveç atij që e ka shenjën — emnin e shtazës së egër a numrin e emnit të saj. 18 Këtu duhet mençuri: Kush ka kuptim, le ta llogaritë numrin e shtazës së egër, sepse asht numër njeriu. Numri i saj asht 666.