Visioni i Gjonit 15
1 Edhe pashë nji shenjë tjetër në qiell, të madhe edhe të mrekullueshme: shtatë melaqe me shtatë plagë. Këto janë të fundit, sepse përmes tyne zemërimi i Zotit merr fund.
2 Edhe pashë diçka si det qelqi, të përzimë me zjarr, edhe ata që po e fitojnë fitoren mbi shtazën e egër, mbi pamjen e saj edhe mbi numrin e emnit të saj, rrinin te deti i qelqtë edhe mbanin harpat e Zotit në duert e veta. 3 Ata këndonin kangën e Moisiut, robit të Zotit, edhe kangën e Qengjit. Ajo thotë:
„Të mëdhaja edhe të mrekullueshme janë veprat tua, Jehovaj Zot, i Plotfuqishëm. Të drejta edhe të vërteta janë udhët tua, Mbret i përjetësisë. 4 Kush nuk ka me pasë respekt të thellë për ty, Jehovaj, edhe nuk ka me e lavdëru emnin tand, sepse vetëm ti je besnik? Po, krejt kombet kanë me ardhë edhe kanë me të adhuru, sepse urdhnat tua të drejta janë zbulu.“
5 Mas kësaj pashë qysh u hap shenjtërorja e tendës së dëshmisë në qiell, 6 edhe shtatë melaqet me shtatë plagët dolën pi shenjtërorja, të veshuna me liri të pastër e që shkëlqente fort, edhe me breza ari rreth gjoksit. 7 Njona pi katër krijesave të gjalla ju dha shtatë melaqeve shtatë tasa ari, të mbushun me zemërimin e Zotit që jeton përgjithmonë e jetë. 8 Edhe për shkak të lavdisë së Zotit edhe fuqisë së tij, shenjtërorja u mbush me tym, edhe askush nuk mujti me hy në shenjtërore derisa të merrnin fund shtatë plagët e shtatë melaqeve.