Visioni i Gjonit 17
1 Njona pi shtatë melaqeve me shtatë tasat erdh edhe më tha: „Eja, kam me ta tregu zbatimin e gjykimit mbi prostitutën e madhe, që rrin ulë mbi shumë ujëra, 2 me të cilën mbretënt e tokës banë imoralitet seksual. Banorët e tokës u dehën me venën e imoralitetit të saj seksual.“
3 Përmes fuqisë së frymës aj më çoi në nji shkretinë. Pashë nji grue tu nejtë ulë mbi nji shtazë të egër ngjyrë të kuqe flakë, që ishte plot me emna që e shanin Zotin, edhe kishte shtatë krye e dhjetë brina. 4 Gruaja ishte e veshun me të purpurt edhe të kuqe flakë, e stolisun me ari, gurë të çmueshëm edhe margaritarë, edhe në dorë kishte nji kupë ari plot me sene të neveritshme edhe papastërtitë e imoralitetit të saj seksual. 5 Në ballin e saj ishte shkru nji emën, nji sekret: „Babilonia e Madhe, nana e prostitutave edhe e seneve të neveritshme të tokës.“ 6 Edhe pashë që gruaja ishte e dehun me gjakun e të shenjtëve edhe me gjakun e dëshmitarëve të Jezusit.
Kur e pashë, u habita shumë. 7 Atëherë melaqja më tha: „Pse po habitesh? Tash kam me ta tregu sekretin e grues edhe të shtazës së egër mbi të cilën ajo rrin ulë, që ka shtatë krye edhe dhjetë brina: 8 Shtaza e egër që e pe, dikur ishte, tash s’asht, po asht gati me u ngritë pi humnera, edhe ka me shku në shkatërrim. Edhe banorët e tokës, ata emnat e të cilëve nuk janë shkru në rrotullën e jetës qysh pi themelimi i botës, kanë me u çuditë që shtaza e egër dikur ishte, tash s’asht, e megjithatë ka me qenë.
9 Këtu duhet kuptim edhe mençuri: Shtatë kryet përfaqësojnë shtatë male, mbi të cilat gruaja rrin ulë. 10 Edhe janë shtatë mbretën: pesë kanë ra, njoni asht tash, edhe tjetri hala nuk ka ardhë, po kur të vijë, duhet me nejtë për pak kohë. 11 Edhe shtaza e egër që dikur ishte, po tash s’asht: ajo asht nji mbret i tetë, po vjen pi të shtatët edhe shkon në shkatërrim.
12 Dhjetë brinat që i pe përfaqësojnë dhjetë mbretën, që hala nuk kanë marrë mbretni, po bashkë me shtazën e egër marrin pushtet mbretnor për nji orë. 13 Ata kanë nji mendim të vetëm, edhe kështu ja japin fuqinë edhe autoritetin e vet shtazës së egër. 14 Ata kanë me luftu kundër Qengjit, po Qengji ka me i mposhtë, sepse asht Zotni i zotnive edhe Mbret i mbretënve. Po ashtu kanë me fitu edhe ata që janë me të, të thirrunit, të zgjedhunit edhe besnikët.“
15 Aj më tha: „Ujërat që i pe, aty ku rrin ulë prostituta, përfaqësojnë popuj, turma njerzish, kombe edhe gjuhë. 16 Edhe dhjetë brinat që i pe, edhe shtaza e egër, ata kanë me e urrejtë prostitutën, kanë me e lanë shkret edhe lakuriq. Kanë me ja hanger mishin edhe kanë me e djegë krejt. 17 Sepse Zoti ua ka vu në zemër me e kry mendimin e tij, po, me e kry mendimin e tyne të vetëm, duke ja dhanë pushtetin e tyne mbretnor shtazës së egër, derisa të përmbushen fjalët e Zotit. 18 Edhe gruaja që e pe përfaqëson qytetin e madh që sundon mbi mbretënt e tokës.“