Visioni i Gjonit 2

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Melaqes së kongregacionit në Efes shkruaj: Kështu thotë aj që i mban shtatë yjet në dorën e vet të djathtë edhe ec mes shtatë shandanëve të arit: 2 ‘I njoh veprat tua, punën tande të randë edhe qëndrueshmërinë tande. E di që nuk i duron njerzt e këqij edhe që i ke sprovuar ata që thojnë se janë apostuj, po nuk janë, edhe e ke kuptu që janë rrenacakë. 3 Po, ti po tregon qëndrueshmëri, ke duru për shkak të emnit tem edhe nuk je lodhë. 4 Megjithatë, këtë kam kundër teje: e ke lanë dashninë që e pate në fillim.

5 Prandaj kujtoje pi çfarë naltsie ke ra, pendohu edhe vepro si në fillim. Përndryshe kam me ardhë te ti edhe kam me ta lëvizë shandanin pi vendi i vet, nëse nuk pendohesh. 6 Po kjo flet mirë për ty: Ti i urren veprat e sektit të Nikollaitëve, që edhe unë i urrej. 7 Kush ka veshë, le ta ngojë qka po ju thotë fryma kongregacioneve: Atij që fiton, kam me ja leju me hangër pi pema e jetës, që asht në parajsën e Zotit.’

8 Edhe melaqes së kongregacionit në Smirnë shkruaj: Kështu thotë ‘i Pari edhe i Fundit’, aj që ishte i vdekun edhe u kthy prapë në jetë: 9 ‘I njoh vështirësitë tua edhe vorfninë tande — po në të vërtetë je i pasun — edhe e di qysh po shajnë ata që thojnë se janë Judenj, po nuk janë. Përkundrazi, ata janë sinagogë e Satanit. 10 Mos ki frikë pi vuajtjet që tash po vijnë mbi ty. Djalli ka me vazhdu me i qitë disa pi jush në burg, që të sprovoheni plotësisht, edhe keni me kalu vështirësi të mëdha për dhjetë ditë. Rri besnik deri në vdekje, edhe kam me ta dhanë kurorën e jetës. 11 Kush ka veshë, le ta ngojë qka po ju thotë fryma kongregacioneve: Atij që fiton, vdekja e dytë kurrsesi s’ka me i bo dam.’

12 Melaqes së kongregacionit në Pergam shkruaj: Kështu thotë aj që e ka shpatën e gjatë, të mprehtë, me dy teha: 13 ‘E di ku banon, aty ku gjindet froni i Satanit. E megjithatë, ti vazhdon me u mbajtë fort te emni jem edhe nuk e ke mohu besimin në mu, as në kohën e Antipës, dëshmitarit tem besnik, që u vra aty ku jeni ju, aty ku banon Satani.

14 Megjithatë, i kam disa pak sene kundër teje. Te ti ka njerz që mbahen te mësimi i Bileamit. Aj e mësoi Balakun qysh me i shty Izraelitët kah e keqja, që me hangër sene të ofruara idhujve edhe me bo imoralitet seksual. 15 Qashtu edhe te ti ka njerz që mbahen te mësimi i sektit të Nikollaitëve. 16 Prandaj pendohu! Përndryshe kam me ardhë shpejt te ti edhe kam me luftu kundër tyne me shpatën e gjatë që del pi goja jeme.

17 Kush ka veshë, le ta ngojë qka po ju thotë fryma kongregacioneve: Atij që fiton, kam me ja dhanë pak pi mana e mshehun edhe nji gur të bardhë. Në atë gur asht shkru nji emën i ri, që s’e din askush përveç atij që e merr.’

18 Melaqes së kongregacionit në Tiatirë shkruaj: Kështu thotë Biri i Zotit, aj që i ka sytë si flakë zjarri edhe kambët si bakër i pastër: 19 ‘I njoh veprat tua, dashninë tande, besimin tand, shërbimin tand edhe qëndrueshmërinë tande, edhe e di që kohët e fundit ke bo ma shumë se në fillim.

20 Megjithatë, këtë kam kundër teje: ti po e duron atë grue Izebel, që e quan veten pejgambere. Ajo i mëson robërit e mi edhe i mashtron me bo imoralitet seksual edhe me hangër sene të ofruara idhujve. 21 I dhashë kohë me u pendu, po ajo nuk don me u pendu për imoralitetin e vet seksual. 22 Ja, kam me e qitë në shtrat të smundjes, edhe ata që bojnë kurorëshkelje me të kam me i lanë me kalu sene të randa, nëse nuk pendohen për veprat e saj. 23 Fmitë e saj kam me i mbytë me plagë vdekjeprurëse, që krejt kongregacionet ta kuptojnë që unë jom aj që i hetoj mendimet ma të thella edhe zemrat. Secilit pi jush kam me ja dhanë atë që e meriton për veprat e veta.

24 Po juve të tjerëve në Tiatirë, po, krejt atyne që nuk e ndjekin këtë mësim, atyne që nuk i kanë njoftë të ashtuqujtunat „senet e thella të Satanit“, po ju thom: Nuk po ju vnoj naj barrë tjetër. 25 Veç mbahuni fort te ajo që e keni, derisa të vij. 26 Edhe atij që fiton edhe deri në fund vepron qysh ju kam dhanë shembull, kam me ja dhanë pushtet mbi kombet, 27 edhe aj ka me i rujtë njerzt me shkop hekuri, kështu që kanë me u copëtu si enë balte — qysh edhe unë kam marrë pushtet pi Ati jem. 28 Edhe kam me ja dhanë yllin e mëngjesit. 29 Kush ka veshë, le ta ngojë qka po ju thotë fryma kongregacioneve.’