Visioni i Gjonit 5
1 Në dorën e djathtë të Atij që rrinte ulë në fron, pashë nji rrotull libri të shkrueme në të dy anët, të vulosun fort me shtatë vula. 2 Edhe pashë nji melaqe të fortë që thirri me za të madh: „Kush asht i denjë me e hapë rrotullën e librit edhe me ja thy vulat?“ 3 Po askush në qiell, në tokë a nën tokë nuk mujti me e hapë rrotullën e librit edhe me kqyrë mrena saj. 4 Unë qava shumë, sepse nuk u gjet askush i denjë me e hapë rrotullën e librit edhe me kqyrë mrena saj. 5 Po njoni pi pleqve më tha: „Mos kaj ma. Luani pi fisi i Judës, rrënja e Davidit, ka fitu, kështu që mundet me e hapë rrotullën e librit edhe shtatë vulat e saj.“
6 Në mes të fronit, të katër krijesave të gjalla edhe të pleqve, pashë nji Qengj tu nejtë në kambë. Dukej si i therun edhe kishte shtatë brina e shtatë sy. Sytë përfaqësojnë shtatë frymët e Zotit, që janë dërgu në krejt tokën. 7 Menjiherë aj doli përpara edhe e mori rrotullën e librit pi dora e djathtë e Atij që rrinte ulë në fron. 8 Kur e mori rrotullën e librit, katër krijesat e gjalla edhe 24 pleqtë ranë përmbys para Qengjit. Secili kishte nji harpë edhe tasa ari plot temjan. Temjani përfaqëson lutjet e të shenjtëve. 9 Edhe ata po këndojnë nji kangë të re. Ajo thotë: „Ti je i denjë me e marrë rrotullën e librit edhe me ja hapë vulat, sepse je therë edhe me gjakun tand ke ble për Zotin njerz pi çdo fis, gjuhë, popull edhe komb, 10 edhe i ke bo mbretën e priftërinj për Zotin tonë. Ata kanë me sundu si mbretën mbi tokën.“
11 Edhe pashë e dëgjova shumë melaqe përreth fronit, krijesave të gjalla edhe pleqve. Ishin dhjetëra mijëra herë dhjetëra mijëra, edhe mijëra herë mijëra. 12 Ata thojshin me za të madh: „Qengji që u ther asht i denjë me marrë fuqi, pasuni, mençuri, forcë, nder, lavdi edhe bekim.“
13 Edhe dëgjova çdo krijesë në qiell, në tokë, nën tokë edhe në det tu thanë, po, krejt ata: „Atij që rrin ulë në fron edhe Qengjit ju takon bekimi, nderi, lavdia edhe fuqia përgjithmonë e jetë.“ 14 Katër krijesat e gjalla thojshin: „Amin!“ Edhe pleqtë ranë përmbys e adhuruan.