Visioni i Gjonit 6

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Edhe pashë qysh Qengji e hapi njonën pi shtatë vulave, edhe dëgjova njonën pi katër krijesave të gjalla tu thanë si me za bubullime: „Eja!“ 2 Edhe papritmas pashë nji kalë të bardhë, edhe aj që rrinte mbi të kishte nji hark, edhe ju dha nji kurorë. Aj doli si fitimtar, për me e çu fitoren e vet deri në fund.

3 Kur Qengji e hapi vulën e dytë, dëgjova krijesën e dytë të gjallë tu thanë: „Eja!“ 4 Doli nji kalë tjetër, me ngjyrë zjarri, edhe atij që rrinte mbi të ju lejua me e hjekë paqen pi toka, që njerzt me e mbytë njani-tjetrin, edhe ju dha nji shpatë e madhe.

5 Kur Qengji e hapi vulën e tretë, dëgjova krijesën e tretë të gjallë tu thanë: „Eja!“ Edhe papritmas pashë nji kalë të zi, edhe aj që rrinte mbi të kishte nji peshore në dorë. 6 Dëgjova diçka si za në mes të katër krijesave të gjalla tu thanë: „Nji litër grunë për nji denar, 3 litra elb për nji denar! Edhe kujdes me vajin e ullinit edhe venën.“

7 Kur Qengji e hapi vulën e katërt, dëgjova zanin e krijesës së katërt të gjallë tu thanë: „Eja!“ 8 Edhe papritmas pashë nji kalë të zbehtë, edhe aj që rrinte mbi të e kishte emnin Vdekje. Edhe varri i shkonte ngjit mbrapa. Atyne ju dha pushtet mbi nji të katërtën e tokës, që me mbytë — me shpatë të gjatë, me mungesë ushqimi, me plagë vdekjeprurëse edhe përmes shtazëve të egra të tokës.

9 Kur Qengji e hapi vulën e pestë, pashë poshtë altarit shpirtnat e atyne që ishin mbytë pse ishin mbajtë te fjala e Zotit edhe kishin dëshmu si dëshmitarë. 10 Ata thirrën me za të madh: „Deri kur, o Zotni Sovran, i shenjtë edhe i vërtetë, po përmbahesh pa e dhanë gjykimin edhe pa e marrë hakun e gjakut tonë mbi ata që banojnë në tokë?“ 11 Secilit pi tyne ju dha nji rrobë e gjatë e bardhë, edhe ju tha me pushu edhe pak kohë, derisa të plotësohej numri i bashkërobërve të tyne edhe i vllaznive të tyne, që ishin gati me u mbytë qysh edhe ata.

12 Edhe pashë qysh Qengji e hapi vulën e gjashtë, edhe ndodhi nji tërmet i madh. Dielli u bo i zi si thes pi qime shtazësh, edhe krejt hana u bo si gjak. 13 Yjet e qiellit ranë në tokë, qysh nji fik kur tundet pi nji erë e fortë edhe i hedh fiqtë e papjekun. 14 Qielli u zhduk si nji rrotull libri që mbështillet, edhe çdo mal e çdo ishull u lëviz pi vendi i vet. 15 Atëherë mbretënt e tokës, zyrtarët e naltë, komandantët ushtarakë, të pasunit, të fortët, çdo rob edhe çdo i lirë u mshefën në shpella edhe mes shkambinjve të maleve. 16 Vazhdimisht po ju thojnë maleve edhe shkambinjve: „Bini mbi neve, edhe mshefna pi sytë e Atij që rrin ulë në fron, edhe pi zemërimi i Qengjit, 17 sepse ka ardhë dita e madhe e zemërimit të tyne. Kush mundet me qëndru?“