Visioni i Gjonit 8

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Kur Qengji e hapi vulën e shtatë, në qiell ra heshtje për rreth gjysmë ore. 2 Edhe pashë shtatë melaqet që rrinë para Zotit, edhe atyne ju dhanë shtatë trumbeta.

3 Erdhi nji melaqe tjetër, që u ndal te altari me nji temjanicë ari. Atij ju dha shumë temjan, që ta ofronte bashkë me lutjet e krejt të shenjtëve mbi altarin e artë që ishte para fronit. 4 Tymi i temjanit u ngrit pi dora e melaqes bashkë me lutjet e të shenjtëve para Zotit. 5 Po menjiherë melaqja e mori temjanicën, e mbushi me thëngjij të ndezun pi altari edhe i hodhi në tokë. Atëherë pati bubullima, zana, vetëtima edhe nji tërmet. 6 Edhe shtatë melaqet u përgatitën me i fry shtatë trumbetave të tyne.

7 I pari i fryu trumbetës. Atëherë breshën edhe zjarr, të përzime me gjak, u hodhën në tokë. Nji e treta e tokës u dogj, nji e treta e pemëve u dogj, edhe krejt bimësia e gjelbër u dogj.

8 Melaqja e dytë i fryu trumbetës. Atëherë diçka si nji mal i madh që digjej në zjarr u hodh në det. Nji e treta e detit u bo gjak, 9 nji e treta e krijesave të gjalla në det vdiqën, edhe nji e treta e anijeve u shkatërruan.

10 Melaqja e tretë i fryu trumbetës. Atëherë nji yll i madh, që digjej si llampë, ra pi qielli. Ra mbi nji të tretën e lumenjve edhe mbi burimet e ujit. 11 Emni i yllit asht „Pelin“. Nji e treta e ujërave u bo pelin, edhe shumë njerz vdiqën pi ujërat, sepse u banë të idhëta.

12 Melaqja e katërt i fryu trumbetës. Atëherë u godit nji e treta e diellit, nji e treta e hanës edhe nji e treta e yjeve, që nji e treta e tyne me u errësu, edhe nji e treta e ditës me mbetë pa dritë, po ashtu edhe nata.

13 Edhe pashë e dëgjova nji shqiponjë tu fluturu në qiell, që thirrte me za të madh: „Mjerë, mjerë, mjerë ata që banojnë në tokë, për shkak të tingujve tjerë të trumbetave të tri melaqeve që tash kanë me ju fry trumbetave të tyne!“