Visioni i Gjonit 9
1 Melaqja e pestë i fryu trumbetës. Edhe pashë nji yll që kishte ra pi qielli në tokë, edhe ju dha çelësi i pusit të humnerës. 2 Aj e hapi pusin e humnerës, edhe tym u ngrit pi pusi si pi nji furrë e madhe. Tymi pi pusi e errësoi diellin edhe ajrin. 3 Pi tymi dolën karkaleca në tokë. Atyne ju dha pushtet, i njejti pushtet si i akrepave të tokës. 4 Atyne ju tha mos me i bo dam barit të tokës, asnji bime të gjelbër edhe asnji peme, po veç njerzve që nuk e kanë vulën e Zotit në ballë.
5 Karkalecave nuk ju lejua me i mbytë ata. Po duhej me i mundu për pesë muej. Mundimi ishte si kur njeriu theret pi nji akrep. 6 Në ato ditë njerzt kanë me e kërku vdekjen, po nuk kanë me e gjetë. Kanë me pasë mall me vdekë, po vdekja ka me ikë pi ta.
7 Karkalecat dukeshin si kuaj të përgatitun për luftë. Në kryt e tyne kishin diçka si kurora ari, edhe ftyrat e tyne ishin si ftyra njerzish. 8 Po kishin flokë si të grave. Dhambët e tyne ishin si të luanëve, 9 edhe kishin parzmore si prej hekuri. Zhurma e krahëve të tyne ishte si ushtima e qerreve që tërhiqen pi kuajt e vrapojnë në luftë. 10 Gjithashtu kanë bishta me thumba si akrepat, edhe në bishtat e tyne asht pushteti me i lëndu njerzt për pesë muej. 11 Mbi veti e kanë nji mbret, melaqen e humnerës. Në hebraisht emni i tij asht Abadon, po në greqisht Apolion.
12 Nji mjerë ka kalu. Mas kësaj po vijnë edhe dy mjerë tjera.
13 Melaqja e gjashtë i fryu trumbetës. Edhe dëgjova nji za që vinte pi brinjtë e altarit të artë, që qëndron para Zotit. 14 Aj i tha melaqes së gjashtë me trumbetë: „Zgjidhi katër melaqet që janë të lidhuna te Eufrati, lumi i madh.“ 15 Edhe kështu u zgjidhën katër melaqet, që janë përgatitë për orën, ditën, muejin edhe vitin, që me e mbytë nji të tretën e njerzve.
16 Numri i ushtrive të kalorësve ishte dy herë dhjetë mijë herë dhjetë mijë. Unë e dëgjova këtë numër. 17 Edhe kështu dukeshin kuajt edhe kalorësit në vegimin tem: Ata kishin parzmore të kuqe si zjarr, të kaltra si hiacint edhe të verdha si squfur. Kryt e kuajve dukeshin si kry luanësh, edhe pi goja e tyne dilte zjarr, tym edhe squfur. 18 Përmes këtyne tri plagëve u mbyt nji e treta e njerzve: përmes zjarrit, tymit edhe squfurit që dilshin pi goja e tyne. 19 Sepse pushteti i kuajve asht në gojën e tyne edhe në bishtat e tyne. Bishtat e tyne janë si gjarpij, kanë kry edhe me ta bojnë dam.
20 Po njerzt tjerë, që nuk u mbytën pi këto plagë, nuk u penduan për atë që kishin kriju me duert e veta. Nuk u nalën së adhuruari shpirtnat e këqij edhe idhujt pi ari, argjendi, bakri, guri e druni, që nuk munden as me pa, as me ni, as me ecë. 21 Ata nuk u penduan as për vrasjet e tyne, as për praktikat me shpirta, as për imoralitetin seksual, as për vjedhjet e tyne.