Zakaria 14

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 „Po vjen dita e Jehovait, kur plaçka që ta kanë marrë ka me u nda n’mes teje.

2 Unë kam me i mbledh krejt kombet me luftu kundër Jerusalemit. Qyteti ka me u pushtu, shpitë kanë me u plaçkitë e gratë kanë me u dhunu. Gjysma e qytetit ka me u çu rob, po ata pi popullit që kanë me mbetë, s’kanë me u dëbu pi qytetit.

3 Jehovai ka me dalë me luftu kundër atyne kombeve, qysh lufton aj ditën e betejës.

4 Atë ditë, kambët e tij kanë me qëndru n’Malin e Ullinjve, n’lindje t’Jerusalemit. Mali i Ullinjve ka me u ça n’mes, pi lindjes deri n’perëndim, e ka me u bo nji luginë shumë e madhe. Gjysma e malit ka me lëvizë kah veriu, e gjysma tjetër kah jugu.

5 Ju keni me ikë në luginën e maleve të mia, se ajo luginë ka me shku deri në Azel. Keni me ikë qysh keni ikë pi tërmetit n’kohën e Uzisë, mbretit t’Judës. E Jehovai, Zoti jem, ka me ardhë, e krejt të shenjtit kanë me qenë me të.

6 Atë ditë s’ka me pasë dritë të çmueshme. Krejt ka me u ngri.

7 Ka me qenë nji ditë që dihet se i takon Jehovait. S’ka me qenë as ditë, as natë, e kah mramja ka me pasë dritë.

8 Atë ditë, pi Jerusalemit ka me rrjedhë ujë i gjallë. Gjysma ka me shku kah deti n’lindje, e gjysma tjetër kah deti n’perëndim. Kjo ka me ndodhë edhe verës, edhe dimnit.

9 E Jehovai ka me qenë Mbret mbi krejt tokën. Atë ditë, Jehovai ka me qenë i vetmi, edhe veç emni i tij ka me qenë.

10 Krejt vendi ka me u bo si Araba, pi Gebës deri te Rimoni, n’jug t’Jerusalemit. E Jerusalemi ka me u ngritë nalt e ka me u banu n’vendin e vet, pi Portës së Beniaminit deri te Porta e Parë, e deri te Porta e Këndit, edhe pi Kullës së Hananelit deri te vendet ku shtrydhet rrushi i mbretit.

11 Njerëzit kanë me banu aty, e s’ka me pasë ma kurrë mallkim që sjell shkatërrim. Ata që jetojnë n’Jerusalem kanë me jetu t’sigurt.

12 Kjo asht murtaja me t’cilën Jehovai ka me i goditë krejt kombet që luftojnë kundër Jerusalemit: Mishi i tyne ka me u kalbë derisa ata hala janë n’kamë, sytë kanë me iu kalbë n’zgavrat e syve, e gjuha ka me iu kalbë n’gojë.

13 Atë ditë, Jehovai ka me shkaktu nji huti shumë të madhe mes tyne. Secili ka me ia kapë dorën tjetrit, e kanë me u sulmu njani me tjetrin.

14 Edhe Juda ka me marrë pjesë n’luftën n’Jerusalem. Pasunia e krejt kombeve përreth ka me u mbledhë, ar, argjend e tesha n’sasi shumë të mëdha.

15 E e njejta murtajë ka me i goditë edhe kuajt, mushkat, devetë, gomarët e krejt bagëtinë që gjendet n’kampet e armiqve.

16 Krejt ata që kanë me mbetë gjallë pi kombeve që kanë ardhë me luftu kundër Jerusalemit, kanë me hyp vit për vit n’Jerusalem, për me u përkulë para Mbretit, Jehovait, Zotit t’ushtrive, edhe me festu Festën e Kasolleve.

17 Po nëse ndonji familje e tokës nuk hyp n’Jerusalem për me u përkulë para Mbretit, Jehovait, Zotit t’ushtrive, mbi atë familje s’ka me ra shi.

18 E nëse familja e Egjiptit nuk hyp e nuk vjen, as ata s’kanë me pasë shi. Përkundrazi, ka me i goditë murtaja me t’cilën Jehovai i godet kombet që nuk hypin për me festu Festën e Kasolleve.

19 Ky ka me qenë dënimi për mëkatin e Egjiptit edhe për mëkatin e krejt kombeve që nuk hypin për me festu Festën e Kasolleve.

20 Atë ditë, në zile t’kuajve ka me shkru: ‘Shenjtënia i takon Jehovait!’ E tenxheret për me gatu n’shpinë e Jehovait kanë me qenë si enët që janë para altarit.

21 E krejt tenxheret për me gatu n’Jerusalem e n’Judë kanë me qenë t’shenjta edhe kanë me i taku Jehovait, Zotit t’ushtrive. Krejt ata që sjellin kurbane kanë me ardhë e kanë me i përdorë disa pi atyne tenxhereve për me gatu. Atë ditë, s’ka me pasë ma asnji kananitas n’shpinë e Jehovait, Zotit t’ushtrive.“